Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare dërguar bartësit të koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, Kadri Veselit, i ka kërkuar edhe zyrtarisht që si udhëheqësi i koalicionit PAN të propozojë një kandidat të ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Në këtë letër të presidentit Thaçi drejtuar Veselit thuhet se si koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.
“Proceduralisht, pas caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën shumicën e Kuvendit, kandidati i ri për kryeministër jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. Nëse ajo përbërje e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet që duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në shkresën e Preidnetit Thaçi dërguar Kadri Veselit.