Këshilli Prokurial i Kosovës (KPK), e ka zgjedhur prokurorin Arian Gashi anëtar të KPK-së nga radhët e Prokurorisë së Apelit.
Sipas vendimit të KPK-së, të 29 nëntorit 2022, Arian Gashi prokuror në Prokurorinë e Apelit është zgjedhur anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij vendimi, mandati i prokurorit Gashi është 5 vjet, pa të drejtë rizgjedhje, duke filluar nga 1 janari 2023.
Vendimi për zgjedhjen e anëtarit Gashi ishte marrë në një mbledhje të mbyllur të KPK-së.
Ndryshe, më 17 nëntor 2022 ishin mbajtur zgjedhjet në Prokurorinë e Apelit, ku prokurori Gashi në garë me prokurorin Agron Bajrami ishte nominuar për anëtar të KPK-së.
Në garën e zhvilluar në këtë prokurori, nga 7 prokurorë që votuan, 4 prej tyre përcaktuan që fitues i këtyre zgjedhjeve të jetë prokurori Arian Gashi.
Kundërkandidati i tij, prokurori Agron Bajrami, në këto zgjedhje mori 3 vota të prokurorëve.
Prokurorët që votuan ishin: Xhevdet Bislimi, Arian Gashi, Agron Bajrami, Arben Ismajli, Bedrie Syla-Alshiqi, Enver Sokoli dhe Ikramije Bojaxhiu.
Ndryshe, KPK në takimin e mbajtur më 21 tetor 2022, ka themeluar edhe Komisionin për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit.
KPK ka vendosur që Komisioni të ketë këtë përbërje, Agron Beka, Agron Qalaj dhe Fehmi Zena. Ndërsa, anëtarë rezervë KPK ka vendosur të jenë; anëtarja Merita Binaj- Rugova, Idain Smaljli dhe Margarita Gjocaj.
Bedrije Syla- Alshiqi është zgjedhur si anëtare e KPK-së më 7 nëntor 2022, kurse mandati në pozitën e anëtares së KPK-së do t’i përfundojë më 31 dhjetor 2022.
Prokurorja Bedrije Syla-Alshiqi, me katër vota për ishte zgjedhur anëtare në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) nga radhët e Prokurorisë së Apelit të Republikës së Kosovës.
Në procesin e votimit për zgjedhjen e anëtarit të KPK-së nga radhët e Prokurorisë së Apelit, të drejtën për të kandiduar e kishe shfrytëzuar edhe prokurori Xhevdet Bislimi, mirëpo i njëjti nuk kishte arritur të merrte votat e mjaftueshme.