Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se tashmë kanë autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e provave lidhur me dyshimin se zv/ministri Almir Aliji është i përfshirë në një aferë ryshfeti.
‘’Referuar pyetjes së parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave lidhur me këtë çështje.’’, ka thënë Prokuroria për Periskopin.
Insajderi dje ka publikuar audio-incizim i cili implikon zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji si të përfshirë në një aferë ryshfeti. Edhe Policia tashmë po merret me rastin. Dyshimet çojnë në përfshirjen e tij në këtë aferë për një grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh. Veliji përpos zv.ministër, për një kohë ishte edhe këshilltar i kryeministrit Albin Kurti. I njëjti, pas raportimeve, u deklarua se është krejt ‘i pastër’.
Me të nisur vitin e ri, doli një skandal i ri nga Qeveria Kurti. Bëhet fjalë për zv/ministrin e Zhvillimit Rajonal të emëruar pikërisht nga Kurti, zotëri Alijin.
Ky audio-incizim, pos tjerash dëshmon që për këtë grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh, zëvendësministri Veliji, pos telefonatave kishe zhvilluar edhe takim.
Madje kishte në posedim edhe flet-aplikimin e qytetarit që ishte në proces të marrjes së grantit, që do të mbulonte një pjesë të investimit, pasi që pjesën tjetër e kishte mbuluar me investime vetanake.
Që nga viti 2021 një seri rastesh për keqpërdorim të granteve qeveritare, me theks të veçantë atyre në bujqësi janë hetuar nga Prokuroria. Një pjesë e tyre tashmë janë deponuar në Gjykatë me aktakuzë.
Rasti i fundit ishte ai i dhjetorit të vitit të kaluar ku Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër 15 të akuzuarve për rastin e njohur “Subvencionet II”.
Audio-incizimi tashmë është në posedim edhe nga Policia e Kosovës që po e hetojnë këtë rast.
“Referuar kërkesës suaj mund të ju konfirmojmë se Policia e Kosovës posedon informacionin si dhe është në fazën fillestare të hetimeve në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Kush është zv.ministri i Kurtit që u kap në flagrancë duke kërkuar ryshfet
Almir Veliji është i emëruar zëvendësministër i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal nga Albin Kurti. Ai vjen nga komuniteti boshnjak.
Në ditën kur është bërë zv.ministër ai përmes një postimi në Facebook ishte zotuar se detyrën që mori “do ta kryejë me përkushtim, vullnet dhe guxim.
‘’Sot pranova detyrën e zv.Ministrit ne Ministrin e Zhvillimit Rajonal e falenderojë z.Albin Kurtin, Kryeministrin e Republikës së Kosvës per besimin që ma ka dhene.
Me këtë rast zotohem se detyrën që mora do ta kryej me përkushtim, vullnet dhe guxim, duke garantuar angazhim maksimal sidomos për komunitetin #Boshnjak.Për t’i përmbushur objektivat tona si komunitet, e që janë edhe pritjet tuaja, do ta shfrytëzoj përvojën time institucionale në mënyrë që ta arrijm më të mirën për vendin tonë dhe për komunitetin.’’
“Jam njeriu më i pastër në botë” – Çka thotë zëvendësministri
Aferën e mohon vet zëvendësministri, duke thënë se ndjehet njeriu më i pastër në botë.
Ai rastin e cilësoi si lojë politike që po bëhet ndaj tij ndërkohë që bën thirrje që rasti të hetohet.
“Jam njeriu më i pastër dhe më i lumtur dhe do të jap kontribut për qytetarët, kurrë në jetën time kurrkujt si kam marrë një cent. Nëse 1 cent i kam marrë dikujt, unë veç shkojë në burg. E këto lojëra politike nga prapa që i bën dikush është Policia është Prokuroria le ta qojnë rastin deri në fund sepse unë nuk mundem me dhënë më intervista se qeshtu ka ndodhur edhe para 2 muajve. Organet e drejtësisë le të merren me rastin, unë jam njeri më i pastër në botë”, ka deklaruar Veliji për Insajderin.
81 cent në bankë : Kjo është pasuria e deklaruar nga zv/ministri i Kurtit që po dyshohet për ryshfet
Në regjistrin e fundit në deklarimin e pasurisë, zv.ministri Aliji deklaroi se ka vetëm 0.81 cent në bankë.
Aliji në Qeverinë e Kosovës, si zv.ministër ka një pagë prej 1 mijë e 71 euro.
Shiko këtu deklarimin e plotë të pasurisë së zv.ministrit Aliji.