Në Gjykatën e Prishtinës, u mbajt gjykimi ndaj Hysri Peqanit, i njohur si Burdushi, i cili është i akuzuar për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore.
Në këtë gjykim, i akuzuari pati mundësinë të jap mbrojtjen e tij mirëpo i njëjti u mbrojt në heshtje.
Kështu gjykimi i tij iu afrua fundit dhe u dha fjala përfundimtare nga ana e palëve.
Në fjalën e tij përfundimtare, Burdushi shprehu se ndihet se akuzat e tij kanë motive politike dhe janë diskriminuese ndaj tij si komunitet pakicë, njofton kallxo.com
Ai shprehu se konsideron se është e padrejtë që vetëm ai gjykohet për veprimtarinë që zhvillon.
“E nderuar drejtësi a veç për mua, vlen ky ligj, a veç pse jam komunitet, kur në tërë Kosovën shkruhen hajmalia, fryhen e thonë rukje, kjo ka qenë një diskriminim racor kundër meje dhe besimtarëve të mi, shahman “ – tha Burdushi në seancë.
Në anën tjetër Prokuroria tha se qëndron mbrapa akuzës së vet dhe kërkon dënimin e të akuzuarit dhe konfiskimin e përhershëm të pasurisë.
“Sipas ekspertizës, i njëjti ka përfituar prej 20 deri 3000 euro nga njerëzit duke arritur përfitim total 2 milionë euro, e vetëm 9,5 % është fituar në formë legale”, tha Prokuroria në seancë.
Trupi gjykues e mbylli këtë shqyrtim gjyqësor dhe shprehu se i nevojitet më shumë kohë se afati 3 ditor, i paraparë me ligj për shpallje të vendimit.
‘Burdushi’ akuzohet se që nga viti 2005 kur ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.
Prokuroria e akuzon “Burdushin” se të dëmtuarve u ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.
Po ashtu, “Burdushi” akuzohet se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie me 55 fishekë, në kundërshtim me Ligjin për Armët.
Tutje sipas Prokurorisë Speciale “Burdushi” që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parasë, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale.
Duke filluar nga viti 2006 paratë e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.
Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria i ka sekuestruar ‘Burdushit’ edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.