Live

Prokuroria kërkon t’i rritet dënimi Agim Ademit, mbrojtja thotë se po bëhet “luftë” për t’ia zënë postin në FFK

14:28 / 03 Dhjetor 2019

Nga Kosova Live

Lirimin e tij, nga akuzat për të cilat ishte dënuar me nëntë muaj burg efektiv, apo kthimin e rastit në rigjykim, po e kërkon nga Gjykata e Apelit, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.

Një kërkesë të tillë, e ka paraqitur para një kolegji të gjykatës së shkallës së dytë, mbrojtësi i Ademit, avokati Besnik Berisha, në seancën që është mbajtur të martë.

Lirimin nga akuzat apo rigjykim të rastit ka kërkuar nga Apeli edhe mbrojtësi i të akuzuarit tjetër në këtë rast, Muharrem Rama, avokati Ramiz Krasniqi.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka propozuar gjykatës së shkallës së dytë që ndaj Ademit dhe Ramës të shqiptohen dënime edhe më të ashpra. Për një gjë të tillë, Prokuroria Themelore e ka marr edhe mbështetjen e Prokurorisë së Apelit.

Kjo e fundit përmes një parashtrese drejtuar Gjykatës së Apelit, i ka propozuar kësaj të fundit që të aprovon ankesën e prokurorisë, kurse t’i refuzojë ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”

Përmes një përgjigje në ankesat e mbrojtësve, pala e dëmtuar në këtë rast, Dritëro Kadolli ka propozuar që ankesat e të akuzuarve të hudhen poshtë.

Të gjitha këto pretendime të palëve janë shqyrtuar të martën nga një kolegj i Gjykatës së Apelit, në përbërje nga gjykatësit, Burim Ademi, Hava Haliti dhe Abdullah Ahmeti.

Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, i kishte shpallur fajtor Ademin dhe Ramën për veprën penale, detyrim në tentativë.

Ademi ishte dënuar nga shkalla e parë me nëntë muaj burg efektiv, kurse Rama me një vit burg efektiv.

Në këto dënime, të akuzuarve ishte vendosur tu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 shtatori deri më 2 nëntor 2012.

Ademi dhe Rama akuzoheshin po ashtu se kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMW X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

Mirëpo, gjykata e shkallës së parë e kishte refuzuar akuzën për këtë pikë, me arsyetimin se e njëjta e ka arritur parashkrimin absolut.

E pakënaqur me lartësinë e dënimeve të shqiptuara nga shkalla e parë, organi i akuzës është ankuar në Apel, nga e cila po kërkon që Ademi e Rama të dënohen edhe më ashpër.

Sipas ankesës së prokurorisë, e cila u referua nga gjykatësja raportuese, Hava Haliti, dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë nuk i përgjigjet shkallës së rrezikshmërisë shoqërore.

Po ashtu, sipas kësaj ankese, shkalla e parë kishte mbivlerësuar rrethanat lehtësuese ndaj të akuzuarve. Për këto arsye, prokuroria ka kërkuar që dy të akuzuarve tu shqiptohen dënime me të larta, të cilat sipas saj, kishin me qenë adekuate dhe do të arrinin qëllimin e dënimit.

E mbrojtësi i Ademit, avokati Besnik Berisha, dënimin e të mbrojturit të tij e ka lidhur me “luftën”, që tha se po bëhet për postin që e mban Ademi, atë të kryetarit të FFK-së.

“Nuk e di nëse Agim Ademi është person kaq i pafat dhe ka kaq shumë armiq, mirëpo siç jeni në dijeni, është duke u bo një luftë për një post që ky e gëzon dhe për çudi në këtë lëndë vijnë letra anonime për gjykatësit e kolegjet që të dënohet Agimi se po shihet si rrugë që dikush po këqyr për me ardh në krye të Federatës”, tha avokati Berisha.

Berisha tha se personat që kishin dërguar letra anonime, kishin pasur guxim të shkojnë edhe të avokatët mbrojtës dhe tu thonë se “nashta kish qenë mirë mu dënu”, duke aluduar në Ademin.

Po ashtu, sipas Berishës, letra të tilla anonime kishin shkuar edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku ishte kërkuar që të vërtetohet aktgjykimi dënues i shkallës së parë për Ademin.

Sa i përket aktgjykimit të Themelores, Berisha tha se dispozitivi i tij ka përmendur tre vende ku është kryer vepra penale, Prishtinë, Kosovë apo gjetiu, pa saktësuar se ku është kryer vepra penale e pretenduar, ndërsa tha se me asnjë shkronjë të vetme nuk përmendet i mbrojturi i tij por megjithë këtë, vepra penale është cilësuar në bashkëkryerje.

Kërcënimet e sulmet fizike për të dëmtuarin në mënyrë që të detyrohej i njëjti të jep një veturë për Sami Hamitin, Berisha i quajti vetëm si pretendime, duke shtuar se vet Sami Hamiti nuk ka qene asnjëherë i akuzuar në këtë rast.

Në ankesën e avokatit Berisha thuhet se faktet vendimtare në aktgjykimin e Themelores janë shpikur dhe fabrikuar, ndërsa ceket edhe fakti se në seancën e mbajtur më 13 shtator 2018, i dëmtuari ka mohuar në çfarëdo forme se Ademi ka qenë i përfshirë në kërcënimin e tij me vdekje.

Tutje, Berisha tha se në aktgjykimin e Themelores thuhet se Ademi e ka pranuar dërgimin e një SMS-i kërcënues në drejtim të dëmtuarit, mirëpo, avokati tha se për një gjë të tillë i mbrojturi i tij, as nuk është pyetur gjatë hetimeve, aq më pak që të pranojë një gjë të tillë.

Lidhur me këtë SMS, mbrojtja në ankesën e saj ka theksuar se asnjëherë nuk është vërtetuar se Ademi ka qenë në përdorim të numrit të telefonit, nga i cili është dërguar ai SMS dhe as nuk dihet kush e ka dërguar të njëjtin.

“I dëmtuari thotë se ka pas tre takime pune me Ademin. Ky (i dëmtuari) thotë se nuk ka pas asnjë kërcënim në ato takime, por kërcënimet kishin filluar më vonë. I dëmtuari nuk e ka drejtu gishtin nga Agimi në lidhje me SMS-in e ardhur nga Zvicra”, deklaroi avokati Berisha.

Në ankesën e mbrojtjes po ashtu thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë është i mbështetur edhe në prova të papranueshme, siç është një urdhër për përgjim retroaktiv që e kishte lëshuar gjykata.

Fokusin kryesor në ankesën e tyre, Berisha tha se e kanë të shkeljet esenciale, ku siç tha, vetëm në faqen e parë të aktgjykimit mund të gjenden 20 të tilla.

“Për ata që kanë provuar me ndiku në këtë gjykatë, ju lus që të manifestoni me sy lidhur dhe të vendosni lidhur me këto pak faqe e jo për postin e dikujt dhe pretendimet e dikujt tjetër”, tha Berisha.

Si të pakuptueshëm dhe kundërthënës e ka cilësuar dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së parë, mbrojtësi i Muharrem Ramës, avokati Ramiz Krasniqi.

Sipas ankesës së Krasniqit, përshkrimi i veprës penale nuk mbështetet në provat e administruara ndërsa edhe gjendja faktike sipas tij, nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë.

Në ankesën e mbrojtjes së Ramës kontestohet po ashtu fakti se shkalla e parë disa herë në aktgjykimin e saj i ka cilësuar disa rrethana si të pakontestueshme, por sipas avokatit Krasniqi, pikërisht ato rrethana janë të kontestueshme pasi të njëjtat janë thënë vetëm nga i dëmtuari e jo edhe nga të akuzuarit.

Në këtë rast, fakti se kinse të dëmtuarit i janë kërkuar 30 mijë euro apo një BMW x5, për ndërrim të destinimit të një toke, sipas ankesës së Krasniqit, është fakt që thuhet vetëm nga i dëmtuari ndërsa e njëjta kundërshtohet nga të akuzuarit.

Një përleshje fizike mes të mbrojturit të tij dhe të dëmtuarit, sipas Krasniqit, ka ndodhur për shkak të disa borxheve e jo për çështjen që ka të bëj aktakuzë në këtë rast.

“Vetëm fjalia e parë mjafton që të prishet ky aktgjykim. Ka shumë alternativa aty, ku thotë, Prishtinë, Kosovë apo gjetiu. Pastaj thotë se me sulm dhe kërcënim. Nëse ka sulm atëherë kjo e konsumon edhe kërcënimin. Sa i përket SMS-it, thotë se dërguesi nuk dihet mirëpo thotë se Agim Ademi atëherë ka qenë ose në Zvicër ose në Amerika. Kjo është e tmerrshme”, tha në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, avokati Krasniqi.

Në këtë SMS, Krasniqi tha se ishte shkruar në formë kërcënuese ndër të tjera se “thuj atina trashaluqit…”, duke ju referuar kështu peshës së personit.

Duke qenë se ky SMS i ishte drejtuar vet të dëmtuarit, Krasniqi e kontestoi faktin se i njëjti i ishte drejtuar të dëmtuarit.

Gjithashtu, Krasniqi tha se tentativa për këtë vepër penale për çka akuzohet i mbrojturi tij nuk dënohet.

Vet të akuzuarit ishin të shkurtë në deklarimin e tyre, ku vetëm thanë se i mbështesin ankesat e avokatëve të tyre dhe nuk kanë çka të shtojnë më shumë.

Duke iu përgjigjur ankesave të mbrojtësve së të akuzuarve, pala e dëmtuar në këtë rast, Dritëro Kadolli, ka kërkuar që të njëjtat të hudhen, pasi sipas tij, janë të pasafatshme.

Sa i përket shkeljeve që pretendohen nga mbrojtësit e të akuzuarve, Kadolli ka thënë se të njëjtat vetëm sa janë përmendur formalisht, por nuk janë argumentuar.

Në përgjigjen e tij, Kadolli thekson e i akuzuari Rama e kishte sulmuar fizikisht, me ç’rast edhe ia kishte thyer dhëmbin, ndërsa të akuzuarin Ademi e ka quajtur si person të rrezikshëm, figurë politike e kryetar të FFK-së, qëllimi i të cilit, sipas Kadollit, kishte qenë përfitimi për Sami Hamitin.

“SMS mu ka referu mu. Kjo është vërtetu prej EULEX-it që ka ardh prej të akuzuarve jo prej meje. Në telefonata shihet se Agim Ademi është urdhërdhënës i Muharrem Ramës qysh me vepru”, tha në fjalën e tij, Kadolli.

Ndryshe, para se gjykatësja Hava Haliti të ngarkohej me këtë rast, kjo lëndë kishte qenë tek një gjykatës tjetër, mirëpo për shkak të disa letrave anonime të dërguara në Gjykatën e Apelit,  ku kontestohej objektiviteti i gjyqtarit, i njëjti kishte heq dorë nga ky rast.

Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit është ngritur me 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it, me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12  korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMW X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”. 

Shpërndaje në

U Kopjua