Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar që gjykata t’ia vazhdojë masën e paraburgimit Pjetër Shalës, i cili po akuzohet për krime lufte.
Sipas prokurorisë, vazhdimi i paraburgimit të Shalës mbetet i domosdoshëm dhe proporcional dhe se asnjë fakt apo rrethanë e re nuk ka ndërhyrë që të mund ta ndryshojë këtë konstatim që kur trupi gjykues e ka arritur atë në vendimin e tetë të paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Përkundrazi, data e afërt e fillimit të gjykimit dhe rrethanat shtesë, si kërkesa e Prokurorisë për të ndryshuar listën e provave me katër transkripta të intervistave të dëshmitarëve të rinj të ZPS-së, rrisin rrezikun e pengimit dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme nga të akuzuarit. Në përputhje me përcaktimet e trupit gjykues dhe Gjykatës së Apelit, Vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit është i nevojshëm dhe proporcional”, thuhet në kërkesë të prokurorisë.
Tutje, thuhet se vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara (‘DhK’), dhe se mbeten të larta rreziqet që i akuzuari nësë lirohet do të arratiset, do të pengojë procedurat ose do të kryejnë krime të mëtejme, duke përfshirë kundër dëshmitarëve që kanë ofruar prova në ZPS dhe/ose do të paraqiten para DhSK-së.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.