PRISHTINË | 22 DHJ 2019 | Nga KosovaLive
Policia e Kosovës më 29 tetor të këtij viti e ka konfiskuar veturën 250 mijë euroshe të këngëtares Morena Taraku. Tash e gati dy muaj, ende nuk ka asnjë të dhënë se çka ka ndodhur me këtë rast. Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk jep asnjë informatë deri ku kanë shkuar hetimet.
Gazeta Express ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë që nga data 30 tetor. Nga Prokuroria është kërkuar të dihet se ku gjendet vetura e konfiskuar; a është ftuar për intervistim Taraku si dhe deri ku kanë shkuar hetimet lidhur me rastin.
Organi i akuzës nuk e ka marrë mundin të kthejë asnjë përgjigje.
Këngëtarja Morena Taraku kishte tentuar ta fuste veturën përmes doganës duke i ikur pagesës. Por, kjo nuk ishte e tëra, vetura “Bentley” që ajo e solli në Kosovë doli të jetë e vjedhur në Gjermani. Kjo ishte edhe arsyeja që Drejtoria për Krim e konfiskoi veturën.
Ndërkaq vetura luksoze të cilën këngëtarja e ka deklaruar si të re, kishte 2,194 kilometra të kaluara dhe regjistrim të rregullt në Gjermani të bërë më datë 22.07.2019.
Me urdhër të Prokurorisë së Prishtinës rasti i iniciuar nga Dogana për shmangie të taksës doganore lidhur me veturën e Morena Tarakun ishte mbyllur.
E pas mbylljes së rastit, Prokuroria e Prishtinës, kishte nisur hetime penale për zyrtarët brenda Doganës e Policisë së Kosovës të cilët kishin qasje në dosjen e lëndës për të zbuluar se si u publikua në media.
Ndërsa më pas, Prokuroria e Prishtinës ka vazhduar presonin mbi zyrtarë të Doganës e Policisë – sinjalizuesve të cilët ishin përfshirë në rastin e Morena Tarakut.
Për doganimin e saj ishte dashur të paguante 57 mijë e 416 euro.