Prokuroria Themelore e Prishtinës do të mbajë sot konferencë për media lidhur me rastin e rrëmbimit dhe vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi.
Siç është bërë e ditur në komunikatën dërguar mediave konferenca do të fillojë në orën 10:30.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, do të mbajë sot konferencë për media lidhur me rastin e Rrëmbimit të B.R., të njohur në opinionin publik. Në këtë konferencë do të prezantojë prokurori i rastit. Konferenca do të mbahet nga ora 10:30, në objektin e Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës në Prishtinë, kati i tretë, salla e takimeve të KPK-së”, njofton Prokuroria.
Ndryshe më 30 shtator janë gjetur mbetjet mortore që dyshohet se i përkasin bisnesmenit Bedri Rexhepi, i cili ishte zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë mbetjet mortore janë gjetur në një zonë kodrinore – malore në Novobërdë.
“Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” dhe të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e këtyre mbetjeve mortore”, thuhet në njoftim.
Bedri Rexhepi më 8 prill 2021 kishte dalë nga banesa e tij në rrugën B dhe që nga atëherë e deri më 30 shtator të këtij viti nuk dihej gjë për fatin e tij. Ndërkohë, që dyshohej se ai ishte rrëmbyer. Për këtë çështje në pranga të policisë kanë përfunduar 3 persona.
Njëri prej tyre ishte paraqitur si agjent i CIA-s, duke paraqitur fakte të rreme tek familja e biznesmenit, kurse tash së fundmi, është arrestuar edhe Jeton Vllasaliu, i dyshuar për rrëmbimin e 39-vjeçarit.
Sipas familjarëve të ndërmarrësit, në ditën kritike kur Bedri Rexhepi kishte dalë nga banesa, kishte qenë nën shoqërinë e klientit të tij, Jeton Vllasaliu.
Ndërsa, një ditë pas zhdukjes, vetura ishte gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit dhe pa shenja për Rexhepin.
Ai punonte me tregtarë të ndryshëm, ndërkaq sipas familjarëve, ai nuk kishte pasur probleme me askënd.
“Agjenti i CIA-s” dhe faktet e rreme
Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 gusht 2021, i kishte caktuar paraburgim të dyshuarit që familjes së biznesmenit Rexhepi iu paraqit si agjent i CIA-së, duke prezantuar fakte të rreme që mund të dërgojë në gjetjen e tij.
Personi me iniciale S.G dyshohet se ka kryer pesë vepra penale, përfshirë “falsifikimin e dokumenteve” kur dyshohet se është paraqitur si agjent i CIA-s.
Ai, dyshohet se më datë 30 korrik 2021, në HIB Petrol në Prishtinë, i ka vënë në lajthitje familjarët e të dëmtuarit Bedri Rexhepi, mbetjet mortore të të cilit dyshihet se janë gjetur sot, duke paraqitur fakte të rreme kinse për gjetjen e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore.
Sipas Prokurorisë, S.G ka kontaktuar përmes mesengjerit vëllain e Bedri Rexhepit, duke u prezantuar si agjent i CIA-s amerikane. Është prezantuar me emrin Ardian O’Neil Bajraktari, duke ja prezantuar një ID kartelë të falsifikuar në shpejtësi.
Prokuroria pretendon se pas shkëmbimit të disa emaileve i dyshuari i ka thënë të dëmtuarit V.R. se ka komunikuar me autoritetet në Serbi dhe ka kuptuar se vëllai i tij i zhdukur gjendet në burgun e Nishit në Serbi dhe për ta nxjerrë prej aty, fillimisht i nevojiten 3000 deri 4000 euro dhe me qëllim që ta bind V.R..
I njëjti, sipas prokurorisë, ia ka dërguar disa emaile në gjuhën serbe dhe angleze se kinse e ka konfirmuar nga zyrtarët e Serbisë ku këtë komunikim ja ka përcjell tani të dëmtuarit V.R. duke cekur se këtë komunikim e ka kthyer qeveria e Serbisë në emër të Milorad Petkoviq.
Tutje, ata e kanë lënë të takohen më datë 2 gusht 2021, për t’i marrë paratë te HIB Petroli afër stacionit të autobusëve dhe aty është arritur të ndalohet dhe arrestohet nga Policia e Kosovës.
Ndaj këtij vendimi, i dyshuari mund të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.
Familjarët fajësojnë prokuroren Fitore Sadikaj
Të shqetësuar për familjarin e tyre, ata thonë se shpeshherë kanë kërkuar takime dhe sqarime nga prokurorja Sadikaj por për 9 muaj radhazi por ajo i ka ikur pyetjeve dhe sqarimeve.
Familjarët kanë parashtruar kërkesë që rasti i zhdukjes së Bedri Rexhepit të kalojë tek ndonjë prokuror tjetër, duke mos besuar në punën dhe bashkëpunimin e prokurores Sadikaj me ta.
Madje, ata kanë thënë se janë parë me sy të keq nga prokurorja në fjalë mbi pretendimet se familjarët kanë pasur interesim të vazhdueshëm për rastin e Bedri Rexhepit.
Vëllai i Bedriut, Vedati hedh dyshime se institucionet nuk janë angazhuar me hetime që në fillim, pasi të dyshuarin kryesor të kësaj ngjarjeje, Jeton Vllasaliun e kanë lënë të lirë pesë ditë e që mund të ndikonte në rrjedhën e hetimeve. Vllasaliu i cili gjendet në paraburgim ka qenë edhe klient i Bedri Rexhepit.
Reagimi i prokurorisë ndaj familjes Rexhepi
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka reaguar pas raportimeve se prokurorja në rastin e zhdukjes së Bedri Rexhepit, nuk ka dhënë sqarime dhe nuk ka qenë bashkëpunuese me familjarët e Rexhepit.
Në reagimin e Prokurorisë thuhet se prokurorja e ka marrë rastin më 13 prill të vitit të kaluar (pesë ditë pas zhdukjes së Bedri Rexhepit), dhe me urdhër të saj është ndaluar i dyshuari Jeton Vllasaliu, ndaj të cilit rëndon vepra penale “Rrëmbimi”, dhe i njëjti është dërguar në paraburgim.
“Ne e kuptojmë shqetësimin e familjes së të dëmtuarit dhe të shoqërisë në përgjithësi, mirëpo pretendimet e familjarëve se prokurorja e çështjes nuk ka qenë bashkëpunuese dhe nuk është angazhuar lidhur me rastin, nuk qëndrojnë, pasi nga raportimi i këtij rasti, prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, duke bashkëpunuar edhe me strukturat e sigurisë së Kosovës, po ashtu, janë zhvilluar takime radhazi në prokurori me familjarët e të dëmtuarit dhe avokatit të tyre mbrojtës dhe se aktualisht ndaj rastit në fjalë, prokuroria po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të sqarimit në tersi të kësaj çështje penale”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.