Disa kompani zvicerane të makinave luksoze kanë konfirmuar rritjen e kërkesave për marrjen me qira të veturave.
Kërkesat janë rritur veçanërisht gjatë verës, shkruan mediumi 20min.ch.
Sipas raportimit të 20min.ch, interesimi është i madh nga të rinjtë të cilët duan të dinë nëse është e mundur të udhëtojnë në Ballkan me këto automjete.
Kështu thotë pronari i SAC Sportscars AG, një autosalloni në Spreitenbach, kantoni i Cyrihut.
“Jam i dërrmuar. Shumë zviceranë duan t’i marrin me qira Ferrari-t, Lamborghini-t ose McLaren-et e mia, t’i transportojnë në Ballkan dhe më pas t’i ngasin atje gjatë pushimeve,” shpjegon ai.
“Megjithatë, është e pamundur t’u përgjigjemi këtyre kërkesave, kjo për çështjet e sigurimeve”, thotë ai.
Siç raporton 20 min, mijëra shtetas të dyfishtë të Zvicrës dhe Kosovës po vizitojnë aktualisht vendin e tyre të origjinës.
Shumë prej tyre i transportojnë makinat e tyre luksoze atje, në mënyrë që t’i përdorin ato në Kosovë, pa pasur nevojë të bëjnë një udhëtim të gjatë.