Para kishës së Shën Savës në Vraçar të Beogradit sonte janë mbledhur disa mijëra qytetarë në një protestë të organizuar nga partitë e djathta Zavetnici, Dveri, Novi DSS dhe POKS kundër pranimit të planit franko-gjerman për Kosovën me titull “Serbia kujton, mbron dhe nuk jep”.
Kolona e qytetarëve u drejtua, siç ishte paralajmëruar, drejt Presidencës së Serbisë. Komunikacioni në Sllavija është ndërprerë, transmeton Demokracia.com.

Në krye të protestuesve është vendosur pankarta “Jo kapitullimit”, ndërsa gjatë marshimit dëgjohej muzikë, ndër të cilat këngët nacionaliste serbe për Kosovën “Vidovdan”, etj.
Në mesin e pankartave të mbajtura nga qytetarët janë “Serbia kujton”, “Bashkësia e komunave serbe është mashtrues”, “Nuk po e shes Gazimestanin për stadiumin kombëtar”, “Nuk po e shes Kosovën për sanduiç”, “Populli dhe kisha në mbrojtje të shtetit, e vetmja zgjidhje kundër tradhtisë”, etj.
Qytetarët kanë ndezur edhe pishtarët dhe kanë brohoritur “Kosovë, Serbi” dhe “Nuk do të heqim dorë nga Kosova”.