Live

Puna e Qeverisë së dorëhequr deri në konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve

08:59 / 24 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka treguar se cilat janë kompetencat dhe si duhet të funksionojë qeveria e dorëhequr. Ramush Haradinaj pasi dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, iu drejtua Kushtetueses për të interpretuar dorëheqjen e tij, por gjykata ende nuk ka dhënë përgjigje, diçka për të cilën, njohës të Kushtetutës po thonë se është e paarsyeshme.

Mazllum Baraliu, profesor i të Drejtës Kushtetuese, thotë se kjo qeveri është e rënë nga detyra dhe kompetencat ligjore e kushtetuese.

Ai sqaron se krejt çka mund të bëjë ky kabinet qeveritar është të kryejë detyrat administrative e teknike, dhe në asnjë mënyrë të marrë vendime apo të mblidhet.

Baraliu: Qeveria e dorëhequr mund të kryejë detyrat teknike

“Ajo që mund të bëjë kjo qeveri e rënë dhe e dorëhequr, është që t’i kryejë detyrat e përditshme secili dikaster në fushë ne vet, i tërë kabineti, që kanë të bëjnë me punët administrative teknike në rrjedhën e përditshme të detyrave operative që duhet kryer, dhe me zbatimin e vendimeve që më herët i ka marrë kabineti qeveritar ose të institucioneve të tjera të cilat vendime dhe detyra qeveria si ekzekutiv, si shtyllë ekzekutive e pushtetit ,është e detyruar me Kushtetutë dhe me ligjet në fuqi që t’i kryejë. Kaq, nuk mund të marrë vendime meritore dhe nuk mund të takohet, siç nuk po takohet”, thotë ai.

Edhe pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit më 19 korrik, pasi morë ftesë nga Gjykata Speciale si i dyshuar, ai është paraqitur përsëri në zyrën e tij, njëjtë sikur vartësit e tij dhe i tërë kabineti qeveritar, të cilat kanë vazhduar punën.

Madje Haradinaj më 26 korrik kishte thirrur edhe mbledhjen e rregullt të Qeverisë, por pastaj iu kishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim të aktit të dorëheqjes së tij dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të qeverisë pas atij veprimi.

Por Kushtetuesja ende nuk ka kthyer përgjigje, e kjo sipas profesorit Baraliu është e pajustifikueshme.

Ai thotë se është irracionale që Gjykata Kushtetuese të mbajë pezull kaq gjatë një institucion të rëndësishëm siç është Qeveria.

Baraliu: Është e pajustifikueshme që Gjykata Kushtetuese nuk është përgjigjur rreth funksionimit të Qeverisë

Shpërndaje në

U Kopjua