Përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë thënë të martën se koncesionari LIMAK i këtij aeroporti po u bënë padrejtësi dhe shkelje të të drejtave në punë.
Kryetari i Sindikatës, Bashkim Latifi deklaroi se edhe pse punëtorët kanë adresuar një numër shumë të madh të ankesave, ato kurrë nuk janë marrë parasysh nga menaxherët e kompanisë LIMAK.
Ndër shkeljet kryesore ai ka përmendur moskompensimin e orëve shtesë të punës dhe beneficione tjera për rrezikshmërinë; pastaj dallimet në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë fundjavave pagesën e shujtës etj.
Latifi tha se kompania LIMAK po i ndëshkon punëtorët për gabimin më të vogël, duke i dënuar deri në 16 mijë euro.
Përderisa Sindikata e punëtorëve të aeroportit ka paralajmëruar një grevë për datën 8 gusht, kryesindikalisti Latifi është kërcënuar nga menaxhmenti me largim nga puna.