Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës vlerëson se kryeministri, Albin Kurti dhe Vetëvendosja i kanë ndërruar të gjitha qëndrimet me të ardhur në pushtet.
Megjithatë sipas tij në disa raste kjo është pozitive.
“Zoti Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë ndryshuar plotësisht dhe unë jam i gëzuar, i lumtur që ata i kanë ndryshu qëndrimet sa kanë qenë në opozitë. Ata e kanë pa që të udhëheqësh një OJQ është ndryshe ndërsa të udhëheqësh shtetin është krejt ndryshe. Zoti Kurti habitem që nuk e ka ndërruar emrin dhe mbiemrin se të gjitha qëndrimet tjera i ka ndërruar. Po prapë po them, qëndrimet kur ndërrojnë nganjëherë është mirë, se është në të mirë të shtetit”, ka thënë Qalaj në Tëvë1.
Sipas Qalajt njëherë duhet të arrihet njohja de-jure reciproke mes Kosovës dhe Serbi dhe pastaj të bisedohet për themelimin e Asociacionit.
“Ai i ka qit edhe 6 pika për Asociacionin mirëpo unë këto pika nuk i shoh të rëndësishme aq shumë sa është që ne duhet ta respektojmnë Kushtetutën dhe në asnjë moment nuk guxojmë të dalim jashtë atij vendimi që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Dhe çështja e themelimit apo jo të Asociacionit duhet të jetë e lidhur ngushtë me marrëveshjen finale, me njohje reciproke”.
“Unë mendoj se ne duhet të bashkëpunojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe ndoshta pala kosovare ndoshta duhet të përgatisë ndonjë statut të Asociacionit, mirëpo asgjë nuk mund të bëjmë më shumë deri sa nuk jemi në fazën e njohjes reciproke de-jure mes Kosovës dhe Serbisë, pastaj kur të hyjmë në atë fazë ndoshta mund të bisedojmë për çështjen e themelimit të Asociacionit”, ka deklaruar ai.