Live

Qendra e të moshuarve ‘Orenda’ vazhdon punën normalisht, rreth 30 të moshuar janë ende aty

15:52 / 04 Nëntor 2022

Nga Denis Fana

Në Qendrën për të Moshuar në Pejë “Orenda”, ku u rrah një e moshuar, puna po vazhdon sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Janë rreth 30 të moshuar që po vazhdojnë qëndrimin aty.

Gazeta Express ka telefonuar në numrin e kësaj qendre, ku është përgjigjur një grua. Ajo s’është prezantuar, por vetëm ka konfirmuar se qendra është duke punuar normalisht.

Sipas saj, në qendër aktualisht ndodhen 29 të moshuar. Për detaje të tjera, ajo ka thënë se s’mund të flasë.

“Po, për momentin jemi pak të zane me hetuesi, me ligj, me shtet, e s’po kemi kohë gazetave e gazetarëve me iu lajmëru në telefon. Si “Orendë”, si qendër jemi tu punu, jemi duke funksionuar normal qysh kemi punu deri më tash. 29 janë momentalisht. Më në detaje s’mundem, sepse është çështje e policisë, hetuesisë e prokurorisë dhe përgjigjet mundeni me i marr prej tyre”, kanë thënë nga kjo qendër për Express.

Ndryshe, pamjet që u xhiruan brenda kësaj qendre u bënë virale dhe nxitën reagime të ashpra. Aty shfaqej një infermiere duke e rrahur një të moshuar, derisa koleget e saj qeshnin e argëtoheshin me këtë skenë.

Të moshuarën e kanë larguar familjarët nga qendra, e infermierët janë arrestuar dhe u është revokuar licenca përkohësisht. Gjykata Themelore e Pejës ua ka caktuar mbrëmë nga 30 ditë paraburgim.

Ato dyshohen se kanë kryer veprën penale “sulmi”.

Caktimin e kësaj mase, Gjykata e ka arsyetuar me rrezikon e ndikimit në dëshmitarë, që janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe në deklaratën e viktimës. Po ashtu, thuhet se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale.

“Të pandehurave iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjyqtari i procedurës paraprake, në vlerësim të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të pandehurave konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë ngase ky dyshim mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi që e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...