Qeveria e dorëhequr nën kryesimin e Ramush Haradinajt është mbledhur të premten, por nuk është marr asnjë vendim. Aty u diskutua nëse ekziston baza ligjore për mbajtjen e mbledhjeve të Qeverisë. Ish-kryeministri Haradinaj tha se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarim. Në këtë mbledhje ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka folur për mungesën e buxhetit të KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve.
Ndërsa Haradinaj i është drejtuar Kushetueses, përfaqësuesit e partive opozitare, të LDK-së dhe Vetëvendosjes kanë reaguar pas lajmit se Qeveria e dorëhequr ka mbajtur mbledhje . Ata kanë thënë se Kryeministri i dorëhequr nuk ka të drejtë të mbajë mbledhje të Qeverisë.
Në anën tjetër, Ambasada Amerikane në Prishtinë, përmes një postimi në Facebook ka thënë se është duke shikuar nga afër se si Kosova është duke u përballur me dorëheqjen e Qeverisë.
“Kjo do të tregojë fuqinë e institucioneve të Kosovës dhe gatishmërinë e zyrtarëve për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjet”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane.