Shumica e pozitave të larta në Qeveri dhe agjenci tjera të pavarura ekzekutive dhe rregullatorë vazhdojnë të funksionojnë me ushtrues detyre apo zëvendësues. Prej 58 pozitave të larta drejtuese, 47 prej tyre ushtrohen me ushtrues detyre apo llogaritur në përqindje i bie 81.03 % e pozitave, sipas gjetjeve të Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Në Qeveri, tri pozita të larta drejtuese, ushtrohen nga zyrtarë të lartë të zgjedhur me mandat të plotë. Bëhet fjalë për Sekretarë të përgjithshëm në Ministri të Shëndetësisë, atë të Punëve të Brendshme dhe të Bujqësisë.
Në anën tjetër, janë 13 ministri përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit, të cilat pozitën më të lartë të shërbimit civil në kuadër të tyre e ushtrojnë me Ushtrues Detyre apo Zëvendësues.
Nga 13 pozitat që janë të mbuluara me ushtrues detyre, për shtatë prej tyre kanë qenë të shpallura konkurset. Por shumica e tyre, kanë dështuar të zgjedhin Sekretarin e Përgjithshëm me mandat të plotë, pasi sipas disa arsyetimeve të vendimeve për këto pozita, del se në disa raste janë tejkaluar afatet për publikimin e rezultateve për verifikimin paraprak dhe vlerësimin profesional të kandidatëve për këto pozita, në disa raste tjera për shkak se kandidatët nuk kanë arritur minimumin e pikëve të kërkuara sipas konkursit apo në disa raste kur nuk ka pasur më shumë se dy kandidatë që i plotësojnë kriteret.
Për më tepër, në këto vendime nuk ka arsyetime të fuqishme, të specifikuara se pse në këto raste janë anuluar konkurset. Sidomos, kur kihet parasysh fakti se projekti britanik për rekrutim, në disa prej këtyre konkurseve, kishte vlerësuar disa kandidatë, por të cilët nuk ishin emëruar, ndërsa në konkurset pasuese britanikët kanë refuzuar të marrin pjesë.
“Betimi për Drejtësi” ka pyetur Qeverinë se pse këto arsyetime të vendimeve janë të mangëta dhe ka kërkuar shpjegime shtesë, por ka munguar përgjigja.