Live

Qeveria Kurti tash e ka një shans të dytë që të korrigjojë atë gabimin me targat

12:18 / 11 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Profesori Universitar, Milazim Krasniqi, ka reaguar për deklaratën e ambasadorit rus në Beograd, A.B. Harqenko i cili ka thënë se Serbia do ta refuzojë planin franko-gjerman.

Krasniqi përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se Serbia detyrohet që ta refuzojë atë plan, pasi sipas tij, kërcënimi rus është evident.

Ai ka thënë se tani është koha që Qeveria të korrigjojë gabimin me targat. Siç thotë ai, tani mund të jetë një mundësi e re për ta mundur Serbinë në këtë proces.

“Pas deklaratës së pardjeshme të ambasadorit rus në Beograd, A.B. Harqenko se Serbia do ta refuzojë planin franko-gjerman, e sigurt është që Serbia atë plan detyrohet ta refuzojë. Kërcënimi rus është evident. Qeveria Kurti tash e ka një shans të dytë që të korrigjojë atë gabimin me targat. Tash duhet të mbetet në qëndrimin se e përkrahë planin franko-gjerman dhe të kërkojë që edhe Asociacioni të akomodohet brenda atij plani”, ka theksuar Krasniqi.

Kransiqi, thekson tutje se dëshpërimi i SHBA-së dhe BE-së me refuzimin serb të planit franko-gjerman, mund t’i shtyjë ata ta pranojnë atë formulë. Ai tutje ka thënë se në këtë aspekt duhet që të kontribuojnë të gjithë përfshirë këtu qeverinë, opozitën, dhe shoqërinë civile.

“Dëshpërimi i SHBA dhe BE me refuzimin serb të planit franko-gjerman, mund t’i shtyjë ata ta pranojnë atë formulë. Ky mund të jetë një shans i ri për ta mundur Serbinë në këtë proces. Në këtë aspekt duhet të kontribuojnë të gjithë, qeveria, opozita, shoqëria civile, shoqëria”, thuhet tutje në postimin e tij.

Shpërndaje në

U Kopjua