Ministria e Kulturës ndau 100 mijë euro për restaurimin emergjent të disa pjesëve të rrezikuara në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kështu bëri të ditur Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës. Ai tregoi se konservimi i plotë i kullave në Prekaz pritet të fillojë në verën e këtij viti pasi të përfundoj realizimi i projektit të përgjithshëm, rrjedhimisht edhe tenderimi.
“Ne si Agjenci e kemi mirëmbajtjen e Kompleksit e Adem Jashari, por normalisht që edhe për ndonjë ndërhyrje emergjente duhet të kemi buxhet. Kështu që për vitin 2023 kemi paraparë që 100 mijë euro do të mjaftojnë për ndonjë ndërhyrje emergjente duke llogaritur që këtë vit do të fillojnë edhe punimet për realizimin e projektit të përgjithshëm. Kështu që mjetet për realizimin e projektit sigurisht që është Komitetit Ndërministror i formuar nga Qeveria e Kosovës që e udhëheq kryeministri Albin Kurti dhe asnjëherë nuk është potencuar apo biseduar se çka do të bëhet me mjete, pra gatishmëria e Qeverisë është që sipas nevojës mjetet do të ndahen. Fillimisht pritet tash të fillojnë procedurat për hartimin e projektit sepse tani kemi detyrën projektuese dhe në bazë të asaj që parashohin ekspertet sa mund të kushtoj projekti i përgjithshëm, sigurisht se Qeveria do t’i ndajë mjetet. Do të ketë një kod të veçantë për ndërtimin e kompleksit. Kurse këto 100 mijë euro janë të ndara vetëm për një ndërhyrje emergjente”, tha Zogaj për kosovalive.net.
Zogaj pohoi se do të bëjnë një marrëveshje edhe me fakultetin e ndërtimtarisë dhe ta shikojnë situatën reale të kullave se sa janë të rrezikuara ato.
“Po shpresojmë se ditëve të fundit komisioni i ekspertëve ka punuar shumë në caktimin e karakteristikave ku bëhet shpallja publike për hartimin e projektit dhe është në fazën përfundimtare të vendosjes së detajeve dhe shpresojmë që shumë shpejtë do të fillojnë procedurat për thirrjen e kompanive të ndryshme për hartimin e projektit. Që edhe hartimi i projektit do të na merr kohë dhe shpresojmë se në verën e këtij viti do të fillojnë për konservimin e shtëpive fillimisht e pastaj me kohën edhe realizimi i gjithë projektit”, theksoi Zogaj.