Live

Qeveria: Situata po stabilizohet në Istog, Mitrovicë dhe Skenderaj – e vështirë në Klinë

23:48 / 19 Janar 2023

Nga Kosova Live

Pas vërshimeve të ujit nëpër disa komuna të Kosovës, Qeveria e Kosovës ka dalë me një njoftim në lidhje me situatën në vend.

Sipas qeverisë, aktualisht situata po shkon drejt stabilizimit në Istog, Mitrovicë dhe Skenderaj.

Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për Klinën.

“Aktualisht situata po shkon drejt stabilizimit në Istog, Mitrovicë dhe Skenderaj. Në Mitrovicë dhe Skenderaj janë dërguar dhe kanë arritur gjashtë ekipe shtesë të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave konkretisht nga tri ekipe shtesë për këto dy komuna”.

“Situata mbetet më e vështirë në Klinë, ku po dërgojmë përforcime shtesë me zjarrfikës nga komunat përreth”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është mobilizuar me të gjitha kapacitetet e saj, me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me Policinë e Kosovës dhe të gjitha njësitë e zjarrfikësve, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë”.

Qeveria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

“Qytetarët mund ta bëjnë informimin në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik emergjent 112”.

Shpërndaje në

U Kopjua