Qytetarët e Kosovës për festat e fundvitit kanë shpenzuar rreth 29.5 milionë euro, sipas vlerësimeve të një sondazhi i cili është përfunduar nga kompania UBO Consultin.
Përmes një komunikate për media nga kjo kompani është thënë se numri i familjeve që nuk festojnë festat e fundvitit ka shënuar rritje.
“Krahasuar me vitin e kaluar, sipas sondazhit, numri i familjeve kosovare që festojnë festat e këtij fundviti është rritur për 4 për qind, nga 64% në vitin 2021, në 68% më 2022. Numri i familjeve kosovare që këto festa nuk i shënojnë për shkaqe ekonomike ka shënuar rritje nga 14% në vitin 2021, në 20% më 2022”.
Ndërkaq, sipas këtij sondazhi, shpenzimet mesatare të familjeve kosovare nuk dallojnë shumë nga shpenzimet e vitit paraprak, përkundër inflacionit të lartë.
“Mesatarisht, familjet kosovare kane deklaruar që po shpenzojnë 146 euro për festat e fundvitit 2022, krahasuar me 156 euro në vitin 2021, dhe 139 euro në vitin 2020. Kjo nënkupton që në përgjithësi, familjet kosovare po shpenzojnë mesatarisht 0.2 milionë euro më pak se në fundvitin e 2021-s, dhe rreth 3.1 milionë euro më pak këtë fundvit sesa në fundvitin e 2020-s”.
Kjo kompani ka nxjerr edhe shifra për mënyrën e shpenzimeve të familjeve.
“Si rezultat familjet kanë deklaruar se po shpenzojnë më shumë në ushqim (71%) dhe më pak në dhurata, aktivitete tjera lidhur me mbrëmje muzikore apo ne dekor krahasim me vitet e kaluara”, thuhet në njoftimin e UBO-s.
Ndryshe, të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.
Prej tyre, rreth 18 për qind jetojnë me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind janë në kufi të varfërisë ekstreme, me më pak se 1.50 euro në ditë.
Në Kosovë, këtë vit, janë shtrenjtuar dukshëm edhe çmimet e produkteve bazë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja ka filluar nga muaji prill me 1.2 për qind, duke arritur në 5.7 për qind në muajin tetor. Rritja më e lartë e çmimeve është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet.