Rada Trajkoviq është ndaluar nga policia kufitare në aeroportin e Beogradit.
Këshilltarja politike e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiqit, e ka bërë të ditur këtë me anë të një postimi në llogarinë e saj në Twitter, duke thënë se po i ndodh serish një ndalim nga shteti serb.
“Po flasim për Serbinë në BE dhe në Ballkanin e Hapur, ndërkaq liria e lëvizjes është e kufizuar në mënyrë të paarsyeshme dhe jokushtetuese për mua dhe familjen time”.
“Pyetje për presidentin, kryeministren dhe qeverinë e Serbisë: pse po e bëni këtë?”, ka shkruar Trajkoviq.
E kontaktuar nga klankosova.tv, ajo deklaroi se avokati i saj ka kërkuar sqarim nga Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë dhe Ministria e Brendshme e Serbisë, por që nuk i janë përgjigjur.
Kujtojmë se një ndalim tjetër i ishte bërë Trajkoviqit edhe në dhjetor të vitit të kaluar në Merdarë nga ana e Serbisë, për çka ajo pat deklaruar se iu ishin konfiskuar dokumentet dhe iu pengua liria e lëvizjes për më shumë se 12 orë, si dhe se kishte mbetur pa terapinë e rregullt me insulinë.