Live

Rakiq lajmërohet nga Zveçani: Duam paqe (VIDEO)

14:05 / 12 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është lajmëruar nga Rudari i Zveçanit.

Rakiq nëpërmjet një video tha se kërkojnë vetëm paqe.

Ai theksoi se vendosja e barrikadave është reaksion ndaj hapave të njëanshëm të Prishtinës.

I pari i Listës Serbe kërkoi lirimin e serbëve që sipas tij u burgosën pa asnjë bazë.

Goran Rakiq, në video nuk i paraqiti fare barrikadat e vendosura në këtë zonë.

“Ndodhemi në Rudare në Komunën e Zveçanit dhe në emër të Shtabit të Krizës dua ta njoftojë para së gjithash opinionin se nata e mbrëmshme ishte e qetë duke iu falënderuar këtij populli trim, që qëndroi stoik për të ruajtur shtëpitë e tyre dhe paqen”, ka thënë Rakiq.

“Ne duam vetëm paqe, s’duam asgjë të huajën, duam ta ruajmë vetëm atë që është e jona dhe familjet tona. Këto nuk janë aksione të popullit serb këto janë reaksione ndaj hapave të njëanshëm të Prishtinës. Ne kërkojmë paqe, arsye para së gjithash nga Prishtina dhe lirimin e serbëve të burgosur pa asnjë bazë dhe që Albin Kurti t’i tërheq të gjitha njëistë që i ka dërguar në veri. Pra, të ndalë maltretimin ndaj fëmijëve tanë dhe të ndalet gjahu ndaj serbëve”, tha ai.

Që nga e shtuna serbët i bllokuan rrugët që çojnë për në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Kjo sipas atyre po bëhet në kundërshtim të arrestimit të disa personave që dyshohet se sulmuan policinë, të enjten para mesnatës, si pasojë e së cilës mbeti i plagosur një zyrtar.

E vendosja e barrikadave ka ngjallur reagime të mëdha.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Bashkimi Evropian e shumë vende të tjera kërkuan që të largohen barrikadat nga veriu dhe të shmangen tensionet.

Shpërndaje në

U Kopjua