Live

Rama premton sërish rritje të pagës minimale: Në 2025 do të jetë 45 mijë lekë

12:25 / 13 Mars 2023

Nga Kosova Live

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka premtuar sërish rritje të pagës minimale. kjo rrogë do të pësojë tjetër rritje. Sipas Ramës në vitin 2025 paga minimale do të kapë vlerën e 45 mijë Lekëve të reja.

“Kemi vendosur që në 2025, kur objektivi i programeve elektorale të të gjitha partive në Shqipëri, ka qenë 38 mijë Lekë maksimumi, në 2025 paga minimale të jetë 45 mijë Lekë. Pra brenda 2 viteve, në fund të Prillit 2025 të gjithë ata që marrin pagë minimale të marrin një pagë 45 mijë Lekë. Dhe në çdo hap ne do financojmë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të diferencës.

Kjo do të thotë që tani në javët e muajt në vijim do kemi rritje të përgjithshme për të garantuar që paga mesatare nuk qëndron aty ku është sepse duhet mbajtur një balancë. Kështu që jemi duke rishikuar tani të gjitha pagat të cilat do pësojnë rritjen e tyre”, tha ndër të tjera Kryeministri.

Gjatë fjalës së tij në analizën e punës së Bashkisë Tiranë, Kryeministri ka shprehur shqetësimin se në Shqipëri nuk ka burime njerëzore.

“Kemi detyrën dhe mundësinë të hyjmë në një ndërveprim më të hapur mes të gjitha palëve për të garantuar që njerëzit në të gjitha fushat e jetës të marrin atë që është maksimumi i mundshëm i këtij vendit dhe këtu sipërmarrja private duhet të bëjë një reflektim pa humbur kohë sepse duke shtrënguar dorën më shumë seç duhet dhe në vijimësi dhe duke i lënë gjithmonë trë fundit ato që në fakt janë të parat fare, pagat për të punësuarit e vet, i ka hapur vetes një gropë që nëse nuk nxitojmë ta mbyllim sot, do të bëhet e pambyllshme. Një gropë që vjen si rezultat i humbjes së kapitalit njerëzor.

Sipërmarrja nuk mundet që të vazhdojë t’i nënpaguajë të punësuarit në raport me atë që është produktiviteti. Nuk mund të bëjë gjithçka për familjet e tyre dhe të mos bëjnë gjithçka për punonjësit e tyre sepse ajo që ka filluar sot që të ndjehet është vetëm alarmi i fundit, humbja e burimeve njerëzore. Ajo që deri dje ishte një problem, sot rrezikon të kthehet në një sëmundje të pashërueshme. Problemi që kishte vende pune dhe nuk kishte profesionistë, sot rrezikon të kthehet në problem që nuk ka punëtorë, aq më tepër në kushtet kur bota, po marr Gjermaninë si shembull. po hyn në një fazë krize pikërisht për punëtorë edhe ajo vetë. Përfytyroni se në çfarë fazë presioni mund të gjendet Shqipëria”.

Shpërndaje në

U Kopjua