Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama iu përgjigj akuzave të opozitës se Partia Socialiste po përdor një aplikacion të quajtur “Aktivisti” për të kontrolluar administratën publike me “like” dhe komentet që i bën kryeministrit Rama në rrjete sociale.
Përmes një videoje të postuar në faqen e vet në Facebook, Rama shihet i rrethuar nga një grup aktivistësh të PS-së teksa bën ironi me opozitën.
“Patronazhisti është ç’është, po aktivisti? S’keni parë gjë akoma”, është shprehur Rama.
Më herët deputeti i PS Etjen Xhafa tha se aplikacioni përdoret për përdorim të brendshëm në mes të aktivistëve të Partisë Socialiste.
Ai tha se PS-ja do të ndjekë rrugën ligjore për personat që kanë publikuar të dhënat e aplikacionit.