Live

Raportuesi për vizat: Do të punojmë shumë që të mos shkaktojmë vonesa

16:07 / 01 Dhjetor 2022

Nga admin

Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni Evropian pritet të nisin shpejt diskutimet për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Deputeti holandez, Thijs Reuten, i cili është emëruar raportues për çështjen vizave, ka thënë se do të punojnë shumë që procesi të përmbyllet sa më shpejt dhe të mos ketë vonesa.

“Unë nuk mund të them se kur mund të përmbyllet dialogu mes tri palëve, por do të punojmë me shumë mund që të mos shkaktojmë vonesa tjera” ka thënë ai.

Sipas tij, se vendimi i Këshillit nuk është në tërësi në përputhje me pritjet e Parlamentit, duke e lidhur këtë me sistemin ETIAS.

“Ky vendim do të duhej të ndodhte para shumë kohësh. Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave para katër vitesh. Jo shumë kohë pas kësaj edhe Parlamenti Evropian ka miratuar të njëjtin qëndrim. Na vjen mirë që Këshilli më në fund u pajtua për t’i dhënë Kosovës mundësinë e lëvizjes pa viza. Por fakti se vendet anëtare kanë vendosur ta lidhin këtë me funksionalizimin e sistemit ETIAS-it (ose më së voni me 1 janar 2024), nuk është ajo që ne kemi pritur”, ka thënë Reuten.

Sipas interpretimit të këtij deputeti, për të pasur mandat për nisjen e negociatave në emër të Parlamentit nuk ka nevojë për votim të ri, sepse mund të konsiderohet si mandat edhe pëlqimi që ka dhënë Parlamenti Evropian në vitin 2019.

Ndryshe, Ambasadorët e vendeve anëtare të BE’së dje u pajtuan që t’i japin mandatin Këshillit Europian për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke zhbllokuar më në fund procesin e ngecur në Këshill të BE-së.

Tashmë Presidenca e Çekisë e Bashkimit Europian do të nisë negociatat me institucionin që i dha dritën e gjelbër vizave për kosovarët qysh në vitin 2018 – Parlamentin Europian.

Ky institucion (PE), në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se ende nuk di afatet se kur do të nisin procedurat e radhës, por si afat të fundit dha fundvitin.

“Tani që Këshilli ka hequr bllokimin, PE-ja mund të diskutojë më tej këtë çështje. Nuk kam ende informacion për afatin specifik të kësaj, pasi Këshilli sapo ka marrë vendimin e tij. Shpresojmë se do të dimë më shumë para fundit të vitit”, tha një zëdhënës i PE-së.

Në votimin e 2018-ës pro heqjes së vizave për Kosovën, Parlamenti Europian kishte nënvizuar se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që po mbahet e izoluar.

“Pas heqjes së vizave për shtetasit e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë në vitin 2009 dhe për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në vitin 2010, Kosova mbeti e izoluar, duke u bërë vetmi vend ballkanik, shtetasve të së cilës u duhej ende viza për të udhëtuar në BE”, thoshte PE.

Pas takimit të ambasadorëve të shteteve anëtare, Kosova dje mori lajmin pozitiv se procesi i vizave do të shkojë më tej.

Në kumtimin e lajmit, ministri çek i Punëve të Jashtme, Jan Lipavský, tha se ky vendim u mor edhe për përpjekjet e Kosovës në fushat e caktuara.

“Sot kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt udhëtimit pa viza për Kosovën dhe tani shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Europian për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur nga përpjekjet e Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, migracionin, menaxhimin dhe sigurinë dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm do të forcohet në të ardhmen”, tha ai.

Sipas qëndrimit të Këshillit, udhëtimi do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të ETIAS – një kërkesë kjo e shtetit francez – dhe nëse vonohet funksionimi i këtij sistemi, liberalizimi do të ndodhë jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Hapat e ardhshëm

Pas ngërçit të liruar nga Këshilli i BE-së, tashmë do të duhet të mblidhen tri institucionet kryesore të BE-së, Komisioni Europian, Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian, në një takim të përbashkët.

Pas kësaj, duhet edhe një takim i ambasadorëve të BE-së për të miratuar marrëveshjen e arritur nga këto institucione.

Në hapin e radhës çështja e liberalizimit kthehet sërish në Parlamentin Europian për të votuar.

Ndërkaq, më pas ambasadorëve të BE-së do të duhet të votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave.

Për procesin e vizave do të duhet ta miratojë po ashtu me shumicë të thjeshtë edhe Këshilli i Ministrave të BE-së.

Akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Europian, Këshilli Europian, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian.

Vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare dhe liberalizimi i vizave hyn në fuqi.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...