Live

Rashiq pretendon se ka filluar kthimi i serbëve të shpërngulur, thotë se ishte ide e Kurtit

22:48 / 28 Janar 2023

Nga Kosova Live

Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq ka pretenduar se më në fund, pas 24 vitesh ka nisur procesi i kthimit të serbëve nëpër qytete.

Duke ia atribuuar këtë ‘sukses’, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Rashiq e ka konfirmuar këtë informatë ekskluzive për radion serbe KiM.

“Ju premtoj se shumë shpejt do të vijmë me një plan bazë dhe një vend ku do të fillojë kthimi,”- është shprehur ai.

Më pas, sipas Kossev, ai ka shpjeguar se zyrtarisht ka filluar procesi i kthimit të serbëve nëpër qytete.

“Kthimi i të zhvendosurve do të fillojë, unë tashmë e kam identifikuar vendin ku, në cilin qytet, ku do të bëhet kthimi i parë,” – ka vazhduar Rashiq, ndërsa ka shtuar se, “kthimi urban” ka qenë ide e Kurtit.

Rashiq ka hezituar të zbulojë se në cilin qytet do të bëhet kthimi i parë, megjithatë i ka dhënë meritat kryeministrit të Kosovës për atë që pret të ndodhë së shpejti.

“Më duhet t’ju them se ka qenë ide personale e kryeministrit Kurti. Kjo ishte ideja e tij për një rikthim urban,” – ka theksuar ai, duke shtuar se në 12 vitet e fundit nuk ka dëgjuar nga askush tjetër, veç Kurtit të ketë përmendur kthimin urban.

“Kështu tha Albin Kurti tani, kur jemi takuar, para se të emërohesha unë, jemi takuar disa herë, duke folur për atë që duhet të jetë, çfarë pritet, si të bashkëpunojmë,”- ka thënë Rashiq duke kujtuar takimet para emërimit të tij.



Megjithatë, ministri serb duket se ka kritikuar mënyrën aktuale të përpjekjes për kthimin e të shpërngulurve, duke theksuar se plani i tij dhe i kryeministrit janë të ndryshëm.

“Kthimi nuk është vetëm për të ndërtuar një godinë dhe një shtëpi dhe për të thënë se janë kthyer, por e rëndësishme është që kthimi të shoqërohet me infrastrukturë, shkollë dhe punësim,”- ka thënë ai, teksa ka shtuar se është e nevojshme të angazhohen kompanitë publike, komunat dhe qeveria.

“Duhet ta kombinoj, duhet të lidh gjashtë institucione të ndryshme në një koncept, që do të thotë se një serb apo boshnjak, turk që vjen, mund të llogarisë në mbështetje jo vetëm për aplikimin për pension dhe ndihmë sociale, por për një vend që do të garantohet për joshqiptarët. Epo, ky është një kthim i vërtetë, jo ai – këtu është ndërtesa, mirupafshim,”-ka thënë Rashiq.

Më tej ai ka treguar edhe bisedën e tij me kryeministrin Albin Kurti.

“Kryeministër, unë jam këtu, në kuptimin – bëj atë që mendoj se është adekuate. Nëse ndodh diçka që ne nuk jemi dakord për diçka, kjo është sepse unë do të mbroj interesat e popullit tim me vendosmëri dhe dinjitet, pavarësisht nga pozicioni, dhe në këtë kuptim varet nga ne të dy, më mirë të themi nga ju, si shumë do të bashkëpunojmë,”- ka përfunduar Rashiq.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...