Live

Rasti i goditjes së një personi me veturë në Leposaviq, Prokuroria jep detaje

15:09 / 29 Nëntor 2022

Nga admin

Pas publikimit të një videoje në rrjete sociale në të cilën shihet një qytetar i cili goditet nga mbrapa nga një veturë në lëvizje, incizimin e së cilës e ka bërë shoferi i veturës, Prokuroria Themelore në veri të Mitrovicës, është duke ndërmarr të gjitha veprimet hetimore sipas ligjit.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në veri të Mitrovicës, Valon Preteni ka thënë se prokuroria menjëherë ka kontaktuar dhe udhëzuar Policinë e Kosovës që rasti të hetohet dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore sipas ligjit, për verifikimin e rrethanave dhe ndriçimin e këtij rasti.

“Lidhur me pyetjet tuaja ju njoftojmë që Prokuroria Themelore e Mitrovicës menjëherë ka kontaktuar dhe udhëzuar Policinë e Kosovës që rasti të hetohet dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore sipas ligjit, për verifikimin e rrethanave dhe ndriçimin e këtij rasti, përfshirë identifikimin e personit të dyshuar – vozitësit të automjetit, këmbësorit që është shkelur me veturë, intervistimin e personit që e ka publikuar videon dhe personat tjerë që kanë njohuri lidhur me rastin. Po ashtu, të verifikohet koha, vendi, motivi dhe rrethanat tjera relevante lidhur me rastin”, ka thënë Preteni.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti, tha se policia është njoftuar përmes rrjeteve sociale.

Hoti tha se për këtë është njoftuar edhe Prokuroria Themelore në veri të Mitrovicës. Sipas tij, duhet të vërtetohet autenticiteti i videos, pasi siç theksoi Hoti nuk dihet lokacioni i saktë e as koha dhe nuk ka ndonjë ankues lidhur me lëndime të mundshme në këtë video.

“Njoftimi është marrë nga rrjetet sociale. Është njoftuar prokurori. Duhet të vërtetohet autenticiteti i videos. Përndryshe nuk dihet lokacioni i saktë e as koha, ndërsa asnjë ankues nuk është lajmëruar lidhur me lëndime të mundshme në këtë video”, ka thënë Hoti.

Ndryshe, kandidati për kryetar komune në veri të Mitrovicës, Aleksandar Arsenijoviq, të hënën ka publikuar një video në të cilën shihet një qytetar i cili goditet nga mbrapa nga një veturë në lëvizje, incizimin e së cilës e ka bërë shoferi i veturës.

Shpërndaje në

U Kopjua