Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka reaguar pas publikimit të videos, ku në doganën e Muriqanit, shihet se si policë malazezë, të shtyrë nga urrejtja etnike, ushtrojnë dhunë mbi profesorin shqiptar, Petraq Milo.
Abazoviq, në një deklaratë para mediave, ka thënë se policët që kanë probleme të ndryshme nuk duhet të jenë në shërbim.
Ai ka thënë se pret që policë të tillë të dënohen, sipas ligjeve në fuqi.
“Policët të cilët kanë probleme të ndryshme, nuk duhet të jenë në shërbim. Personat të cilët tejkalojnë autoritetin e tyre duhet të gjobiten në mënyrë adekuate dhe ashtu pres që të ndodh, edhe me shkeljet ligjore që ndokush mund t’i kryej. Departamenti i Policisë do të ketë ndryshime në vazhdimësi”, ka thënë Abazoviq.
Në fund, përmes Twitter, Abazoviq ka deklaruar se Mali i Zi dhe Shqipëria janë vende mike që ndajnë pikëpamje identike për të ardhmen.
“Mali i Zi dhe Shqipëria janë vende mike që ndajnë pikëpamje identike për të ardhmen. Mezi pres mbledhjen e ardhshme të përbashkët të qeverive ku do nënshkruhen marrëveshje të shumta”, ka shkruar Abazoviq.