Ambasadori në largim i Mbretërisë së Bashkuar, Ruari O’Connell, ka reaguar ndaj deklaratave të lëshuara nga Ministria e Integrimit Evropian, pas takimit me ministren Dhurata Hoxha.
O’Connell shpreh shqetësimin se fjalët e tij janë shtrembëruar nga ana e minstrisë.
“E vetmja gjë që nuk do të më mungojë në Kosovë është praktika joprofesionale dhe jo miqësore e politikanëve të Kosovës që flasin prej pozicionit tim. Takova sot Ministren e Integrimeve Evropiane, e cila është një mike e vjetër. Pas takimit, Ministria e saj lëshoi një deklaratë për media duke dhënë qëndrimet e mia. Kjo s’u dakordua me Ambasadën time. Në fakt, unë nuk ofrova ndonjë mendim për zbatimin e MSA-së në Kosovë. As nuk e diskutuam atë”, ka shkruar O’Connell në facebook.
Kjo e fundit në një komunikat për shtyp tha të kenë biseduar rreth Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), O’Connell e ka mohuar një gjë të tillë.
” Ambasadori britanik vlerësoi punën e institucioneve duke potencuar zbatimin e MSA-së, reformave si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe respektimin e të drejtave të njeriut, në veçanti për procesin integrues, procese këto që duhet bërë edhe më shumë”, shkruhej në komunikatën e Minstrisë së Integrimeve Evropiane.