AVONET ka monitoruar aktivitetin e prokurimit ”Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë” me nr. të prokurimit: 616-22-7096-5-1-2, të inicuar nga Autorireti Kontraktues-Komuna e Prishtinës.
Komuna e Prishtinës me datë 24.02.2023 ka rekomanduar për dhënien me kontratë të Grupit të Operatorëve Ekonomik “SALLAHU” shpk dhe ALTIS CONSTRUCTION Ltd me vlerë prej 8,497,801.66 €.
AVONET gjatë hulumtimit të aktivitetit të prokurimit në Komunën e Prishtinës ka identifikuar se Naim Sallahu, pronari i mëparshëm i “Sallahu” sh.p.k ka Aktgjykim të formës së prerë dhe është fajtor për kryerjen e veprës penale: falsifikim i dokumentit zyrtar nga neni 398, par. 2KPRK- së, me nr. të lëndës PKR. Nr. 16/2018 të datës 30.03.2018 të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Andaj, bazuar në Ligjin NR. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, përkatësisht në nenin 65, paragrafin 3, i cili përcakton se:
Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave”.
Për këtë çështje ka reaguar Komuna e Prishtinës.
“Komuna e Prishtinës përmes këtij reagimi njofton opinionin publik se shkrimi i publikuar nga OJQ “AVONET” me titull “Tender 8.4 milionësh, shpallet fitues i dënuari për mashtrim” është i tërësisht i pasaktë dhe i pavërtetë”.
“Me datë 15.07.2022 Komuna e Prishtinës ka publikuar njoftimin për kontratë lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë”. Ky aktivitet i prokurimit është zhvilluar si procedurë e kufizuar në dy faza. Nga të dy komisionet e vlerësimit lidhur me të dy fazat e procedurës, është gjetur se ofertuesi i përgjegjshëm me çmimin më të lirë është operatori ekonomik “Sallahu” Sh.P.K. (ky fakt nuk kontestohet as nga OJQ “Avonet”)”, thuhet në reagimin e tyre.
“Për këtë arsye Komuna e Prishtinës si autoritet kontraktues ka kërkuar nga operatori ekonomik që në përputhje me nenin 65 të Ligjit në fuqi për Prokurimin Publik, të dorëzoj dëshminë nga gjykata kompetente se pronari dhe përfaqësuesi i saj nuk kanë qenë të dënuar për vepër penale në të paktën dhjetë (10) vitet e fundit. Rrjedhimisht “Sallahu” Sh.P.K. fillimisht përmes çertifikatës së biznesit dhe dokumenteve tjera nga ARBK ka dëshmuar se pronar dhe përfaqësues i saj është personi me inicialet “L.S.” (dhe jo personi me inicialet N.S. siç pretendohet nga OJQ “Avonet”)”.
Më tutje “Sallahu” Sh.P.K. ka dorëzuar çertifikatën e nënshkruar dhe vulosur nga gjykata kompetente përmes Këshillit Gjyqësor të Kosovës përmes të cilës ka dëshmuar se pronari dhe përfaqësuesi i saj sipas ligjit asnjëherë nuk ka qenë i dënuar për vepër penale dhe ndaj tij nuk është duke u zhvilluar procedurë penale.
“Rrjedhimisht, me datë 24.02.2023 është publikuar njoftimi për vendimin e autoritetit kontraktues me të cilin “Sallahu” Sh.P.K. është shpallur si tenderues i suksesshëm. Për këto arsye konstatimi nga OJQ “Avonet” se lidhur me një tender është shpallur fitues një person i dënuar për mashtrim është konstatim tërësisht i pavërtetë dhe i pasaktë”.