Deklarata e para pak ditëve e përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it ku nga Kosova kërkohej heqja e taksës dhe nga Serbia ndalimi i fushatës kundër njohjeve të Kosovës, sipas analistit Blerim Reka, jep shpresa të mëdha për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për gazetën e Prishtinë “Epoka e Re”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Reka, ka thënë se ky qëndrim i vendeve të QUINT-it po i trajtojnë palët në mënyrë të barabartë, gjë të cilën, sipas Rekës, deri më tani nuk e ka bërë BE-ja.
Por, Reka tërheq vërejtjen se vendet më të fuqishme kësaj radhe me këmbëngulje po kërkojnë koncesione nga të dyja palët.
“QUINT-i më në fund e bëri atë që nuk e bënte BE-ja: ktheu simetrinë ndaj trajtimit të të dy palëve me dy kërkesa: koncesione reciproke për secilën prej tyre. Deri më tash Brukseli kërkonte koncesione vetëm nga njëra palë, pra që vetëm Kosova ta hiqte taksën, por jo edhe që Serbia t’i hiqte bllokadat diplomatike për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Reka.
Ai ka bërë me dije se me këtë qëndrim vendet më të fuqishme perëndimore kanë dhënë shpresë për një rifillim të dialogut me një mandat të ri.
“Konsideroj se QUINT-i me një qëndrim të tillë të ekuidistancës ndaj dy palëve të barabarta negociuese, dha shpresë për rifillimin e dialogut, por tash me: një mandat të ri, format të ri dhe me trajtim të ri të barabartë ndaj dy palëve negociuese. Fundja, qëndrimin e QUINT-i pak a shumë e kishte paralajmëruar iniciativa e fundit Merkel – Makron, e filluar në pranverë në Berlin dhe me gjasë me vazhdim në vjeshtë në Paris”, është shprehur ai.
Reka ka kritikuar qasjen e deritashme të dialogut Kosovë – Serbi për normalizim të marrëdhënieve.
Sipas tij, edhe iniciativa e kancelares gjermane dhe presidentit francez ishte kundër qasjes së deritashme të këtij dialogu. “Dueti ‘Merkron’ i dy fuqive kryesore të BE-së në një mënyrë ishte kritikë ndaj qasjes së gjertanishme shtatëvjeçare të ndërmjetësimit të dialogut të Brukselit, sidomos të rrëshqitjes së ish-ndërmjetësues së tij (nga gushti i vitit të kaluar) në pranimin implicit edhe të negocimit të ndryshimeve kufitare, që nuk ishteasmandatisajeasi Komisionit Evropian”, ka thënë Reka për gazetën “Epoka e Re”.