Lideri rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia do të përgjigjet me masa të njëjta, nëse Shtetet e Bashkuara zhvillojnë raketa bërthamore me rreze të shkurtër dhe të mesme, pas daljes nga traktati kryesor i kontrollit të armëve bërthamore.
“Nëse Rusia merr informacion të besueshëm, se Shtetet e Bashkuara përfundojnë zhvillimin e këtyre sistemeve dhe fillojnë ti prodhojnë ato, Rusia nuk do të ketë mundësi tjetër, përveç se të angazhohet në një përpjekje në shkallë të plotë, për të zhvilluar raketa të ngjashme”, tha Putin përmes një deklarate.
Këto komente Putini i bëri pasi Shtetet e Bashkuara, më 2 gusht, u tërhoqën zyrtarisht nga Traktati i Forcave Bërthamore (INF), që u nënshkrua nga ish-presidenti i SHBA-së, Ronald Reagan, dhe lideri sovjetik, Mikhail Gorbachev në vitin 1987.
Rusia kishte pezulluar më parë pjesëmarrjen e saj në traktat, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, më 1 shkurt, njoftoi se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të tërhiqen nga traktati.