Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar dënim maksimal për gjithë ata që kryejnë krime ndaj grave.
Sipas kësaj organizate, gratë po vriten vetëm pse janë gra si dhe shkaku i rrënjosjes së normaleve patriarkale në shoqëri.
Ky reagim i Rrjetit të Grave ka ardhur pas vrasjes së një gruaje në Prishtinë mëngjesin e sotëm.
RrGK-ja i ka bërë përgjegjëse gjykatat pse po japin dënime të ulëta dhe masa lehtësuese për dhunuesit.
“Dënimet nga gjykatat vazhdojnë të jenë të ulëta dhe absurde duke rikthyer në gjykim personat përgjegjës për vrasje brutale të grave dhe duke u dhënë të njëjtëve rrethana lehtësuese përgjatë procedurës penale”, ka konstatuar RrGK-ja.
Ky rrjet ka kërkuar të mos merren si masa lehtësuese ndaj të dyshuarit pse është dorëzuar në Polici dhe ka moshë të shtyrë.
“RRGK-ja kërkon që të shqiptohet masa ndëshkuese maksimale ndaj dhunuesve në baza gjinore dhe të mos merren në konsideratë si masa lehtësuese dorëzimi i tij në polici dhe mosha e dhunuesit, “siç është praktikë të konsiderohen këto të fundit nga gjykatat”, thuhet në reagimin e RrGK-së.
Organizata që mbron të drejtat e grave konsideron se viktimat po mbesin pa rrugëdalje
“Vrasja e grave vjen si pasojë e dështimit institucional, social e kolektiv, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore si çështje parësore, në kuadër të sundimit të ligjit dhe qasjes në drejtësi”, thuhet më tej në reagim.
RrGK-ja ka paralajmëruar monitorimin e reagimeve institucionale ndaj të gjitha rasteve të dhunës gjinore./BetimipërDrejtësi