Nga janari i këtij viti qytetarët e Kosovës u goditën me një rritje marramendëse dhe jonormale të tatimit në pronë, mesatarisht më shumë se 100 për qind, krahasuar me vitin paraprak.
Reagimet ishin të shumta, me një efekt të çastit në vend se kjo rritje e vlerës së tatimit në pronë të kundërshtohet fuqishëm përmes aktivizmit qytetar dhe të gjithë atyre që kanë mandat ta mbrojnë interesin e qytetarit.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut(KMDLNj) ka reaguar të hënën se Ministria që drejtohet nga Hekuran Murati ka tërë përgjegjësinë për këtë rritje.
“Ministria që drejtohet nga Hekuran Murati ka tërë përgjegjësinë për këtë rritje – plaçkitje përmes tatimit në pronë e adresoi te komunat duke deklaruar se këto mjete shkojnë në buxhetin e komunave në kohën kur komunat po arsyetohen se Ministria përkatëse ka përgjegjësi dhe se komunat nuk kanë as mundësi e as përgjegjësi ligjore të ndërhyjnë në vendimet e ministrisë. Realisht, qytetarët e Kosovës që pamëshirshëm po plaçkiten, qoftë nga një vendim diskriminues i ministrisë, qoftë nga mungesa e kompetencave të komunave të ndërhyjnë në caktimin e shumës së tatimit në pronë, janë të pafuqishëm të mbrojnë buxhetin familjar dhe biznesor, edhe ashtu të rrezikuar shumë nga kriza e përgjithshme ekonomike”, thuhet në njoftim.
Në komunikatën e KMDLNj thuhet se në këtë situatë komunat kanë kërkuar nga ministria që të mos zbatojë këtë rritje jonormale, deri në një vlerësim tjetër, kurse Ministria, për ta heshtur dhe zbutur kundërshtimet e arsyeshme të qytetarëve ka propozuar që komunat t’ua falin nga 100 euro tatimpaguesve ndonëse për këtë nuk ka asnjë bazë ligjore.
“E pabesueshme deri ku shkon injoranca dhe arroganca e atyre që kanë përgjegjësi konkrete për këtë rritje – plaçkitje përmes tatimit në pronë”, thuhet në njoftim.
Sa i përpekt shtrenjtimit të energjisë elektrike 15 % nga 1 prilli, në komunikatën KMDLNj thuhet se ZRrE është një institucion që kurrë dhe asnjëherë nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim për mbrojtje të interesit të konsumatorëve, pagues të rregullt të faturave për rrymën e shpenzuar, ndërsa e ka bërë të pamundurën, duke shkelur çdo parim moral dhe ligjor t’ua paguajë rrymën serbëve dhe të tjerëve në pjesën veriore të Kosovës, që nga përfundimi i luftës e deri më tani.
“KMDLNj, para një muaji ka reaguar duke paralajmëruar se ZRrE, ky ekip kusarësh, do ta miratojë kërkesën e KESCO-s për rritje të energjisë elektrike, afërsisht 13%. Me këtë reagim KMDLNj –ë ka kërkuar që qytetarët të kundërshtojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe ka shpresuar që qeveria e Kosovës, duke marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike të pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës e që do të preken më së shumti me këtë rritje, do ta kundërshtojë këtë rritje dhe se, më në fund do ta ndëpritet pagesa e faturave të rrymës për serbët dhe të tjerët në veri të Kosovës. Qeveria, jo që nuk e bëri këtë, por me një veprim mashtrues e legalizoi këtë rritje duke ndarë mjete për subvencionim të rrymës për një muaj ndërkohë që rritja e çmimit vazhdon me këtë çmim, deri në rritjen tjetër”, thuhet në njoftim.
Sipas KMDLNj-ë, Qeveria e Kosovës, në vend se të mbrojë interesin e qytetarëve – votuesve të saj, po i mbron interesat e KESCO, ZRrE-së dhe strukturave kriminale në veri të Kosovës që rrymën e papaguar e përdorin për prodhim të kriptovalutave dhe kultivimin e bimëve narkotike.
KMDLNj –ë e përkujton opinionin se shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë në rritje zinxhirore të çmimeve të artikujve tjerë, kryesisht të domosdoshëm sikur edhe të shërbimeve. Shtrenjtimi i tillë, si lak në fyt do ta ngufasë jetën e shumicës së qytetarëve të Kosovës, do të rrënojë edhe më shumë buxhetin e dobësuar familjar, shumë biznese do t’i falimentojë dhe se, në këto rrethana as që mund të flitet për projekte zhvillimore, hapje të reja të vendeve të punës dhe rritje të cilësisë së jetës të qytetarëve të Kosovës.
“Në fund, nuk ka asnjë vend në botë ku shkelen aq shumë të drejtat e njeriut, ekskluzivisht në baza etnike si në Kosovës përmes diskriminimit të pagesës së faturave për rrymën e shpenzuar; shqiptarëve dhe jo serbëve ua ndërprejnë rrymën edhe për 10 centë të mospaguar kurse serbët furnizohen me rrymë, pa e shpenzuar as edhe një cent të vetëm, 24 orë, gjatë 7 ditëve të javës. E pabesueshme dhe e papranueshme për një shtet normal dhe qeveri normale, që nga përfundimi i luftës e deri më sot”, thuhet në njoftim.