Live

Rritja e tatimit në pronë, koeficienti sekret i pagës – vazhdojnë goditjet e Kurtit për qytetarët

19:20 / 24 Janar 2023

Nga Kosova Live

Kryeministri Albin Kurti po vazhdon t’u dhurojë befasi qytetarëve. Javën që shkoi, partia e tij kundërshtoi tërheqjen e një përqindje të parave nga Trusti, që u inicua për të zbutur krizën e shkaktuar nga ngritja e çmimeve. Ndërsa të hënën qytetarët e morën vesh se u është shtrenjtuar edhe tatimi në pronë. Për këtë vendim, Ministria u mundua t’i lë fajtore komunat, të cilat reaguan duke thënë se norma e tyre është e njëjtë. Befasia tjetër që ende s’ka ndodhur është ajo e koeficientit të pagave, me të cilën Kurti po i mban peng qytetarët tash e sa muaj.

Qytetarët janë “tronditur” këto ditë kur kanë parë se faturat për tatim në pronë u kanë ardhur gati 100 për qind më shtrenjtë se vjet, e pa ndonjë njoftim paraprak.

Ata menjëherë kanë filluar ankesat në drejtim të komunave, sidomos ndaj asaj që udhëhiqet nga Përparim Rama.

Pas reagimeve të shumta, Komuna e Prishtinës ka dalë me një sqarim, duke bërë me dije se ata s’kanë bërë përcaktimin e shumave në faturat e qytetarëve për vitin tatimor 2023.

Nga kjo komunë i janë referuar Ligjit për Tatimin në Pronë, për të sqaruar se kjo është në kompetencë të Ministrisë së Financave, që udhëhiqet nga Hekuran Murati.

“Komuna e Prishtinës, nuk e ka bërë përcaktimin e shumave në faturat e qytetarëve për vitin tatimor 2023”, thuhet në postim.

Pas këtij postimi, janë deklaruar edhe nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Nga kjo ministri janë munduar që fajin ta gjuajnë te komunat, duke thënë se ato e përcaktojnë shkallën e tatimit në pronë dhe se Ministria e bën vetëm vlerësimin e pronave të paluajtshme dhe se për këtë ka bashkëpunuar ngushtë me komunat.

“Përgjatë vlerësimit të pronave rezidenciale, Departamenti i Tatimit në Pronë ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për m2 për objekte dhe toka”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Ministria ka treguar edhe të dhënat që ka përdorur për të kryer vlerësimin, shkruan Express.

“Vlerësimi i përgjithshëm kryhet duke u bazuar në vlerën e tregut me ç’rast Departamenti i Tatimit në Pronë përdor të dhënat si në vijim: kontrata të shitblerjeve për prona rezidenciale (jo më të vjetra se 3 vjet); intervista me agjentë të shitjes së pronave të paluajtshme; anketime të pronarëve të pronave; intervista me zyrtarë bankash në lidhje me vlerat e pronave që përdoren si kolateral; vlera të pronave që janë shpronësuar; të dhëna të qirave; dhe të dhëna nga kompani të ndërtimit”.

S’ka vonuar shumë, e pas këtij publikimi të MFPT’së, ka reaguar edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke sqaruar se rritja e çmimit të faturës për tatimin në pronë s’ka ardhur nga komunat.

Sipas AKK’së, komunat nuk e kanë ngritur normën tatimore por është bërë rivlerësimi i pronave nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut.

“…vlen të sqarohet se Komunat nuk e kanë ngritur normën tatimore por është bërë rivlerësimi i pronave nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut. Pra, çmimi i faturës së Tatimit në Pronë llogaritet me shumëzimin e vlerës së pronës me normën tatimore. Kështu, me rritjen e çmimit të pronave (pa u rritur fare norma tatimore nga Komunat) është rritur automatikisht vlera e faturës së Tatimit në Pronë”, thuhet në reagim.

Nga Asociacioni kanë treguar edhe se si përcaktohet shuma e kësaj pagese.

“Fatura e tatimit në pronë përmban dy elemente mbi bazën e të cilave përcaktohet shuma e kësaj pagese: 1. Vlera e pronës për metër katror (m/2) e cila përcaktohet nga Ministria e Financave dhe Transfereve (Departamenti i Tatimit në Pronë) dhe 2. Norma tatimore e cila përcaktohet nga Komunat”, thuhet në reagim.

Asociacioni ka kërkuar sa më shpejt të procedohet në Kuvend, Ligji i ri i Tatimit në Pronë, ku është kërkuar që norma tatimore aktuale të ulet nën 0.15%.

“Ajo çka është varur nga Komunat nuk ka ndryshime, sepse ato mbeten të përkushtuara që të mos bëjnë ngritje në këtë kohë të vlerave të taksave për qytetarët, sidomos në këtë kohë të krizës ekonomike dhe rritjes së vazhdueshme të shumicës së artikujve”, thuhet në reagimin e AKK’së.

Opozita kërkon anulim të vendimit, e quan sulm ndaj qytetarëve

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta pezullojë vendimin për rritjen e çmimit të tatimeve, i cili erdhi si pasojë e rritjes së vlerësimit të pronave.

Nga kjo parti e kanë quajtur këtë si veprim të papërgjegjshëm, në një kohë me inflacion të lartë.

“Qeveria e paaftë ka filluar vitin e ri edhe me një rritje të ngarkesës tatimore për qytetarët e Kosovës. Kjo është edhe një godite tjetër ndaj papërballueshmërisë në kohën kur kosto e rritjes së çmimeve dhe kosto e jetesës ka arritur nivele rekorde në vend. Për shkak të rritjes së barrës tatimore – si rezultat i rritjes së vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave – qytetarët e Kosovës kanë filluar të pranojnë faturat e tatimit në pronë me rritje deri në dyfishim. Kjo ngarkesë shtesë, në kohë të krizës së çmimeve, është e papranueshme dhe e patolerueshme. Vendimet e Ministrisë pa koordinim, janë papërgjegjësi”, ka thënë LDK.

Këtë vendim e kanë kundërshtuar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, ka thënë se ky është sulm ndaj qytetarëve

“Efektet zinxhir të krizës socio-ekonomike, nuk mund të shërbejnë si vlerësime reale të normës tatimore të pronave. Logjika që kriza e shkaktuar nga inflacioni të kthehet barrë, jo vetëm e rritjes së çmimeve bazike, por edhe në vlerësimin e vlerës tatimore, është e pa bazuar, jo logjike dhe rënduese për qytetarët”, ka shkruar Tahiri.

Çka thotë Ligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme?

Sipas Nenit 17 të Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, autoritet kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave, Punës dhe Trasnfereve.

“Ministria e Financave përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave. Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit”, parasheh ky nen.

Ndërkaq, normat tatimore caktohen nga Kuvendet Komunale.

“Kuvendi komunal i çdo komune cakton normat tatimore për të gjitha kategoritë e pronave, me përjashtim të kategorisë pronë publike, deri më 30 nëntor të vitit para vitit të vendosjes së tatimit në përputhje me këtë Ligj. Kuvendi komunal duhet t’i rishikojë normat e caktuara dhe të caktojë norma të reja tatimore, vetëm nëse një gjë të tillë e kërkojnë rrethanat”, parasheh Neni 9 i këtij ligji.

Shpërndaje në

U Kopjua