Live

S’do të ketë zgjedhje në veri, rikthimi i Listës Serbe lojë për të kamufluar situatën

18:03 / 17 Nëntor 2022

Nga admin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Ky komision ka njoftuar sot se afati i aplikimit për certifikim të subjekteve politike është nga 15 nëntori deri më 21 nëntor.

Mirëpo, ky proces zgjedhor në komunat veriore, sipas analistëve të sigurisë, legjislacionit dhe të drejtave të njeriut, në realitet është vështirë të jetësohet më 18 dhjetor, datë kjo kur pritet të mbahen këto zgjedhje të shpallura nga presidentja Vjosa Osmani, shkruan Demokracia.com.

Ndonëse shpallja e zgjedhjeve sipas tyre është bërë konform ligjit dhe parimeve të demokracisë, në praktikë gjithçka që ka të bëjë me këtë proces rrezikohet nga ndikimi i Serbisë mbi komunitetin serb në veri dhe partitë politike të kërcënuara vazhdimisht nga grupet e armatosura.

Edhe betimi i sotëm i deputetëve të rinj të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, të cilët zëvendësojnë deputetët që dhanë dorëheqje javë më parë, profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, thotë se është një lojë për të kamufluar situatën dhe krijuar përshtypjen se zgjedhjet do të mbahen. Por, ai thotë se vetë fakti që janë kthyer në Kuvend tregon se nuk ka zgjedhje.

“Kthimi i deputetëve të Listës Serbe në Kuvend dhe zëvendësimi i tyre tregon se në veriun e Kosovës nuk do të ketë zgjedhje. Mendoj që kjo është lojë politike e Serbisë në mënyrë që të bllokohen zgjedhjet në veri, sepse komuniteti serb në veri është ngulfatur nga politika e Beogradit bashkë me Listën Serbe, ku brenda saj ka grupe të kriminalizuara dhe të organizuara me grupe të armatosura”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Sipas tij, kjo tregon se më datën 21, në ditën kur duhet të fillojnë gjobat për targat, do të arrihet një marrëveshje dhe nuk pret që të ketë përshkallëzim të situatës në veriun e Kosovës.

Jashari: Së pari zgjidhje politike, tani zgjedhje

Avokati Arbër Jashari thotë se shpallja e zgjedhjeve nga presidentja Osmani dhe KQZ-ja është bërë konform ligjit dhe Kushtetutës, ashtu siç obligohet, por ai shprehet skeptik se kjo do të funksionojë në realitet dhe praktikë.

“Nga ana ligjore dhe formale mund të jetë gjithçka në rregull, por nuk mund të mbahen zgjedhje kur partitë politike kryesore nuk marrin pjesë, kur komisionarët nesër nuk do të marrin pjesë, ku udhëheqësit e qendrave të votimit nuk do t’i përgjigjen. Me kë pra do të mbahen këto zgjedhje?”, thotë ai për Demokracia.com.

Jashari shtoi se edhe nëse e imponon me forcë procesin zgjedhor, sipas tij, prapë kjo nuk është zgjidhje për shkak se qytetarët nuk dalin dhe ka shumë mundësi që nuk do të votojnë.

“Në aspektin ligjor, demokracia funksionon në bazë të shumicës, por me 1 për qind në zgjedhje, një kryetar dhe nëse zgjidhet e pastaj bojkotohet nga shumica e atij komuniteti, po ashtu rrezikohet shërbimi në atë komunë që të bojkotohet nga qytetarët. Prandaj, kjo çështje do së pari zgjidhje politike dhe një marrëveshje, e cila uroj të bëhet para datës 18 dhjetor”, thotë ai.

KMDLN apelon te qytetarët që të dalin në zgjedhje

Kryetari i KMDLNJ-së për Mitrovicë, Halit Barani, ka thënë se gjithsesi do të ketë përpjekje që të pengohen qytetarët serbë që duan të marrin pjesë në zgjedhje.

“Është e pashmangshme kjo me ndikimin e Serbisë, do të tentohet të pengohen. Përveç Listës Serbe, disa parti serbe nuk do të mund të pengohen, ka dhe në mesin e tyre që nuk frikësohen prej bandave. Por, ka dhe në mesin e Listës Serbe që janë kundër udhëheqësve të tyre”.

Barani thotë se mbarëvajtja e zgjedhjeve varet dhe se kënd i cakton komisionerë dhe udhëheqës të qendrave.

“Varet prej tyre nëse janë njerëz adekuat apo jo, apo janë nga ata që zbatojnë urdhrat e kriminelëve atje”.

Barani apelon te të gjithë qytetarët që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, që të marrin pjesë në zgjedhje.

“Të gjithë ata që jetojnë në pjesën e okupuar të qytetit të Mitrovicës të marrin pjesë në zgjedhje, të jenë të vëmendshëm te kutitë e votimit se për kë do të votojnë”, tha ai për Demokracia.com.

KQZ: Çfarëdo rezultati në zgjedhjet e 18 dhjetorit do të certifikohet

Mirëpo, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët ose jo të votuesve në zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore, mund të zgjidhen kryetarët e rinj. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në bazë të ligjeve në fuqi as çështja e numrit të kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje nuk është e kufizuar. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk e kufizojnë sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje në një komunë në mënyrë që rezultati të mund të certifikohet nga KQZ-ja.

“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe Ligji për zgjedhjet lokale nuk e kufizojnë se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në një komunë të caktuar, në mënyrë që pastaj rezultati të mund të certifikohet nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, ka thënë Elezi.

Ai bëri të ditur se për zgjedhjet në veri, fletëvotimi për zgjedhjen e një kryetari mund të ketë edhe vetëm një kandidat. Pas dorëheqjeve të katër kryetarëve nga radhët e komunitetit serbë në katër komunat veriore, Presidentja e Kosovës ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme më 18 dhjetor për Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. /Demokracia.com/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...