Live

Sekuestrohen 33 mijë litra alkool në Rahovec, flitet për dëme mijëra eurosh ndaj shtetit

23:42 / 14 Mars 2023

Nga Kosova Live

Orët e para të 8 marsit e kanë gjetur në punë sektorin e hetimeve dhe akcizës të Doganës së Kosovës.

Ata kanë marrë indicie nga njësia e inteligjencës së këtij institucioni se në një komunë në jugperëndim të Kosovës është duke u zhvilluar kontrabandë me pije alkoolike.

Ekipet e hetimeve nisen, e caku i tyre është Komuna e Rahovecit, vend i cili njihet për prodhimin e këtyre pijeve.

Rrugës, ekipeve të hetimeve dhe akcizës iu bashku edhe njësiti i antikontrabandës.

Lokacioni ku do të nisë bastisja dhe verifikimi është në rrugën “Kullat Binjake” në Rahovec, prej nga informacionet dërgojnë në atë se disa prodhues janë duke e keqpërdorur licencën e tyre, duke rritur jashtëligjshëm sasinë e prodhimit të pijeve alkoolike.

Inspektimi nis fillimisht në dy shtëpi, ku dyshimet dërgonin në atë se prodhuesit kishin fshehur një sasi të paautorizuar të pijeve alkoolike.

Pas kontrollit, njësitë e doganës vërtetojnë dyshimet e tyre. Të dyshuarit, që në këtë rast janë vëllezër F.V. dhe G.V., po prodhonin raki e verë të kuqe jashtë rregullave ligjore.

Shtëpia trekatëshe, në pronësi të F.V., ishte e mbushur me pije alkoolike pa banderola. Pavarësisht që rahoveciani kishte licencë prodhimi, ai kishte trefishuar prodhimin e tij, duke mos e deklaruar te instancat shtetërorë.

Për këtë ai kishte shpuar katet e shtëpisë, duke vendosur një “tub” që shkonte deri te bodrumi i shtëpisë, i cili bënte bartjen më të lehtë dhe të pavërejtshme të rakisë.

E vetmja sasi legale që u gjet në këtë shtëpi janë bure e shishe alkooli me banderolë që gjendeshin në bodrumin e kësaj shtëpie. Shishet e qelqit të mbushura me alkool këtu posedonin banderola, të cilat lëshohen nga dogana.

Pasi evidentohet alkooli i jashtëligjshëm në shtëpinë e parë, doganierët nisen drejt shtëpisë së dytë, e cila gjendet në të nijetin oborr, por me pronar tjetër. Në fakt, ai është vëllai i F.V., i cili po ashtu po prodhonte raki e verë përtej asaj që kishte deklaruar në shtet.

“Baca Salo” ishte brendi i tij, të cilin pavarësisht që si vit prodhimi ka vitin 2016, G.V. e kishte pa autorizim prej doganës.

Madje, ky i fundit kishte edhe makinën për vendosjen e ambalazheve.

Rahoveciani theksonte se kishte filluar rregullimin e dokumenteve për ta legalizuar prodhimin e tij dhe është i gatshëm për regjistrim edhe në Doganën e Kosovës.

Gjatë këtij aksioni, Dogana e Kosovës ka sekuestruar mbi 19 mijë (19,560) litra verë dhe mbi 14 mijë (14,290) litra raki shtëpie.

67 mijë euro, sipas Bekim Shalës, që udhëheq njësitin antikontrabandë, është vlera e dëmit që ia kanë shkaktuar shtetit, nëse llogaritet vetëm sasia që u zu në këtë aksion.

Shala thekson se malli i sekuestruar do të mbikëqyret nga pronari dhe me koordinim me prokurorin do të veprohet me tutje.

Në fund, Dogana e Kosovës ka testuar edhe fortësinë e rakisë, në bazë të se cilës përcaktohet edhe niveli i akcizës, potencialisht niveli i taksave të shmangura.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...