Dhjetëshi i UÇK-së, Rexhep Selimi, në fjalën e tij në Hagë tha se s’ka frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia, teksa shtoi se nga padrejtësia tha se duhet të kenë frikë të gjithë.
Ai në fjalën e tij përmendi ditën e sulmit në Prekaz, ku tha se atë ditë nuk ndodhej në shtëpinë e Adem Jasharit, prandaj edhe është gjallë sot.
“Në atë betejë, Adem Jashari, ra heroikisht duke rezistuar me tërë familjen e tij. Ne, shokët e Adem Jasharit, që shpëtuam gjallë, mbetëm përballë gjithë Serbisë. Ishim pak djem e vajza, të armatosur shumë dobët, të pauniformuar e të paorganizuar mirë. Mbetëm luftëtarë pa komandant”.
“Krejt çka mund të bënim ishte ta ndiqnim rrugën e Adem Jasharit, të vdisnim duke luftuar apo të luftonim deri në fitore. Disa ranë duke luftuar e disa e bëmë këtë të dytën. Në ato ditë të rënda për Kosovën vazhduam të rezistonim ashtu siç mundeshim e dinim. Nuk ia arritëm të armatoseshim sa duhej, e donim ta mundnim Serbinë por këtë s’ia arritëm pa ndihmën e shteteve nga jashtë”, është shprehur Selimi.
Tutje, ai tha se “nëse flasim për krime, atëherë lë të flasim për ato krime që më të vërtetë kanë ndodhur. Lë të flasim për të gjitha masakrat, për atë të Mejës, Reçakut, Abrisë, Radoniqit, Izbicës, Krushës, Rrezallës, Poklekut, Qishkut, Makocit apo qindra masakrave të tjera ku janë vrarë fëmijët edhe në gjirin e nënës së tyre”.
“Lë të flasim edhe për Dubravën, ku Serbia ekzekutoi mbi 100 të burgosur shqiptarë. Lë të flasim për të zhdukurit me dhunë, ku edhe sot s’janë gjendur akoma”, tha Selimi, njofton Klankosova.tv
Më tej, Selimi tha se dallimet e opinionet politike mes të akuzuarve në Hagë nuk duhej e nuk mund të përdoren si fakte juridike kundër askujt.
“Në këto çaste, kur ne po flasim e po na shohin qytetarët e vendit tim, kam besim se të gjithë së bashku do ta nxjerrim të vërtetën dhe unë bashkë me bashkëluftëtaret e mi do të kthehemi të lirë në vendin tonë, për të cilin luftuam dhe punuam gjatë gjithë jetës sonë.