Live

Serbët në veri: Nëse LS nuk merr pjesë në zgjedhje, legjitimiteti i zgjedhjeve kontestues

08:39 / 03 Mars 2023

Nga Kosova Live

Në rast se Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – nuk merr pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, më 23 prill, për kryetar të katër komunave në veri të Kosovës, rezultati i zgjedhjeve mund të jetë legal, por me legjitimitet të kontestuar, vlerësojnë përfaqësues politikë të serbëve dhe njohës të proceseve zgjedhore dhe politike.

Megjithatë, ata thonë se pritjet që Lista Serbe – e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – të marrë pjesë në zgjedhje janë reale, në dritën e zhvillimeve të fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si dhe pajtimit në parim të palëve me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve.

Autoritetet e Kosovës thonë se do të ofrojnë të gjitha kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike në të katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri të vendit, si dhe për kuvende komunale në Leposaviq dhe Zveçan, të cilat ishin shpallur të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, janë shtyrë me vendimin e presidentes Vjosa Osmani, pas kërkesave të partnerëve perëndimorë.

Asokohe, për zgjedhjet për kryetarë të komunave ishin certifikuar 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilave vetëm dy kandidatë ishin nga radhët e komunitetit serb. Gjithashtu, për garën për kuvendet komunale të Leposaviqit dhe Zveçanit ishin certifikuar 64 kandidatë nga tri subjekte politike.

Lista Serbe kishte refuzuar të merrte pjesë në këto zgjedhje. Ky ishte paralajmërim se edhe votuesit serbë nuk do t’i përgjigjeshin pjesëmarrjes në votim.

KQZ: Do të pranohen edhe aplikimet e reja nga subjektet politike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se tashmë ka caktuar afatet e aktiviteteve, si dhe ka miratuar planin operacional për organizimin e zgjedhjeve të 23 prillit.

Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ-së, thotë se me vendimin e këtij institucioni, kandidatët e certifikuar më herët, “do të mund të konfirmohen nga subjektet politike për zgjedhjet e 23 prillit, pa pasur nevojë për aplikim nga fillimi”.

“Përveç procesit të konfirmimit të kandidaturave të certifikuara, KQZ-ja do të pranojë edhe aplikime të reja nga partitë politike, kandidatët e pavarur, iniciativat qytetare apo koalicionet”, thotë Elezi.

Ai shton se afati për paraqitjen e aplikimeve nga subjektet politike është nga data 9 mars e deri më 18 mars.

Periudha e fushatës zgjedhore do të jetë nga 4 prill deri më 21 prill.

Rashiq: Kosova bëri gjithçka, varet nga Lista Serbe
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjen se a do të angazhohet për të siguruar kushtet e sigurisë për mbajtjen e zgjedhjeve të 23 prillit, si dhe atmosferën pozitive zgjedhore.

Në një përgjigje me shkrim nga Zyra e kryeministrit të Kosovës thuhet se “institucionet përgjegjëse do të bëjnë krejt çka kërkohet që të ofrojnë dhe sigurojnë kushtet për mbajtje dhe mbarëvajtje të zgjedhjeve të lira e demokratike në këto katër komuna”.

Ministri për komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, thotë se pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje do të ishte sinjal për votuesit në komunat veriore të vendit se Beogradi zyrtar miraton daljen në zgjedhje. Dërgimi i një sinjali të tillë, sipas tij, do të nënkuptonte që Beogradi zyrtar e mbështetë qasjen pozitive ndaj dialogut në Bruksel dhe frymën e pajtimit që palët kanë shprehur lidhur me propozimin e BE-së për normalizim.

“Mendoj se Kosova nga ana e saj, e para së gjithash Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kanë bërë gjithçka që është në fuqinë e tyre që të ketë zgjedhje demokratike. Në qoftë se ata nuk pranojnë – në këtë rast Lista Serbe – vetëm se do të dëshmojnë se janë këtu vetëm për t’i bllokuar proceset, për të penguar dhe në fakt nuk do t’i shfrytëzonin mekanizmat për demokratizim, por ata mekanizma do t’i shfrytëzonin për pengim”, thotë Rashiq.

Pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje dhe ftesa ndaj votuesve serbë në veri të Kosovës që të jenë pjesë e procesit zgjedhor, sipas ministrit Rashiq, duhet të jetë më e pakta që Brukseli duhet të kërkojë dhe të presë nga Beogradi zyrtar.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Listës Serbe me pyetjen se a do të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit dhe cilat janë kushtet e saj për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka kthyer përgjigje./REL

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...