Live

Shahini: Kosova me klimë të keqe për investitorë të huaj

16:28 / 22 Korrik 2019

Nga Kosova Live

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se përveç lobimit të Serbisë kundër Kosovës edhe problemet aktuale në vend janë duke ndalur investitorët e huaj, ngjashëm po ndodhë edhe për Shqipërinë.

“Ndikimi politik në ekonominë e Ballkanit Perëndimor është prezent dhe kjo për fat të keq po ndikon që investitorët vendor dhe të huaj të shikojnë edhe klimën politike përpos asaj ekonomike, për vendin tonë shkruhet në gjitha vendet e ndryshme të botës duke lobuar Serbia që atje nuk ka siguri për investime, kurse në Shqipëri protestat e një pas njëshme kundër njëri-tjetrit në kohën e sezonit edhe atje ka ndikuar që pushues të kenë më pak”, ka thënë Shahini në një intervistë për “ekonomiaonline”.

Sipas tij aferat e ndryshme korruptive, ndërhyrja në gjyqësor, por edhe Gjykata Speciale, janë disa nga arsyet që ndikojnë negativisht në klimën e të bërit biznes.

“Hiq më mirë nuk është edhe tek ne në Kosovë sepse aferat e ndryshme që vazhdimisht janë duke u raportuar Gjykata Speciale që edhe kjo është një nga ato që raportohet por edhe gjykimet e ndryshme apo ndërhyrja në procesin gjyqësor që raportohet nga politika kjo ndikon drejtpërdrejt nëse në këto vende ende ka hapësirë për rend dhe ligj”, ka thënë Shahini.

Shahini thotë se edhe ndërhyrjet politike që u bëhen institucioneve të pavarura largojnë investitorët. Ai përmend rastin e fundit të ndërhyrjes politike në vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë është një shembull i keq për vendin.

Shahini më tej ka thënë se Kosova dhe Shqipëria asnjëherë nuk mund të ketë barriera ndaj njëra-tjetrës, ndërsa kushtet që vendosen janë për të mbrojtur secila nga vendet prodhimin e tyre vendës.

“Jo kjo nuk do ndodhë, nuk ka në Kosovë institucion për të cilin guxon të marr një vendim për të i vendosë barriera Shqipërisë, ose në Shqipëri me i vendosë barriera Kosovës. Ne kemi herë pas herë mosmarrëveshje të disa produkteve, por shtetet Kosova dhe Shqipëria janë shtete të pavarura e autonome, kanë të drejtë sipas marrëveshjes së CEFTA-s që në momente të caktuara nëse kanë hiperproduksion të ndonjë produkti t’i vë kushte ndonjë shteti tjetër dhe në bazë të marrëveshjes këto nganjëherë aktivizohen, por janë të rralla ato pengesa dhe ne duhet të i kuptojmë që secili shtet duhet të mbroj prodhimin e vendit”, ka thënë në fund të intervistës për “Ekonomiaonlie”, Agim Shahini.

Shpërndaje në

U Kopjua