Live

Shaip Kamberi për Asociacionin: Të mos krijohet një Republikë serbe e re në Ballkan

17:50 / 16 Mars 2023

Nga Kosova Live

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka folur për Front Online lidhur me marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe në veçanti formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ai ka deklaruar se nuk duhet të krijohet edhe një Republikë tjetër serbe në Ballkan.

Sipas tij,  këtë nuk duhet ta lejojnë as ndërkombëtarët.

Kamberi për Front Online ka deklaruar se beson që autoritetet në Kosovë nuk do të pranojnë mekanizma që serbëve në Kosovë t’u sigurojnë mundësi të rrënimit të integritetit territorial dhe sovranitetit.

“Besoj se autoritetet në Kosovë nuk do të pranojnë mekanizma të atillë që serbëve në Kosovë t’i sigurojnë mundësi të rrënimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. Jo një Republika Srpska të re në Ballkan duhet të jetë imperativ edhe i ndërmjetësve ndërkombëtarë”, ka thënë Kamberi për Front Online.

Kamberi, ka folur edhe për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke thënë se pozita e tyre është alarmante.

“Ndërkohë që pozita e pakicave ne Serbi, veçanërisht shqiptarëve në Luginë të Preshevës është alarmante, BE dhe ShBA duhet të kuptojnë se kjo qasje nuk ndërton stabilitet dhe paqe të qëndrueshme ne Ballkanin Perëndimor. Andaj ne mendojmë se simetria në respektimin e drejtë dhe reciprok të pakicave mes Kosovës dhe Serbisë është parim që çon te paqja e qëndrueshme”, është shprehur ai.

Kurse, sa i përket deklaratës së përbashkët të përfaqësuesve politikë dhe institucionalë të Luginës ku kanë kërkuar të drejta të barabarta siç parashihen për serbët në planin evropian, Kamberi ka pohuar se kërkesa të njëjta po bëjnë që nga viti 2004, por se ato kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Me Deklaratën e fundit ne vetëm ripërsërisim qëndrimin tonë për reciprocitet duke potencuar praktikën e keqe që po tentohet të ndërtohet për të drejtat ekskluzive vetëm për një pakicë, atë serbe në Kosovë. Ne do të vazhdojmë me insistimin e respektimit universal të të drejtave të pakicave”, ka deklaruar ndër të tjera Kamberi për Front Online.

Ndryshe, Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë shqiptarë të Komunave të Luginës kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët ku kanë kërkuar respektimin e të drejtave të tyre njëjtë me ato të serbëve në Kosovë.

Në dokumentin e siguruar nga Front Online, në pikën e parë ata kërkojnë realizimin e plotë të të drejtave kolektive të shqiptarëve, sipas standardeve më të larta të parapara me dokumentet përkatëse të OKB-së, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, si dhe praktikave përkatëse, dhe adresimin e tyre në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi dhe propozimit evropian.

Ndër të tjera kërkohet edhe përfshirja e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit, me qëllim të barazimit të pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës me pozitën e serbëve në Kosovë.

Kjo deklaratë është nënshkruar nga përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të tri komunave të Luginës së Preshevës, deputeti i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Nacional shqiptar, Ragmi Mustafa, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetari i Kuvendit të Komunës së Bujanocit, Enver Ramadani, kryetari i Kuvendit të Komunës së Preshevës, Sami Salihu, kryetar i PDSH-së, Ragmi Mustafa, këshilltari i Komunës së Medvegjës, Femi Beja.

E njëjta nuk është nënshkruar nga kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi dhe kryetari i LPD-së dhe nënkryetar i Komunës së Bujanocit, Shqipërim Musliu./Front Online/

Shpërndaje në

U Kopjua