Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka dënuar sulmin ndaj një ekipi gazetarësh kosovarë në Zubin Potok nga bandat kriminale.
“Shtetet e Bashkuara i bashkohen Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK dhe Bashkimit Evropian në Kosovë për të dënuar ashpër sulmet e fundit në një seri sulmesh kundër gazetarëve kosovarë. Mediat duhet të jenë në gjendje të punojnë pa kërcënimet e dhunës dhe frikësimit. Media e lirë dhe e pavarur është themeli i demokracisë”, ka thënë ambasadori Jeffrey Hovenier.
Për sulmin e sotëm ndaj ekipit të Klan Kosovës ka reaguar edhe misioni i OSBE-së në Kosovë.
Aty thuhet se “këto sulme janë të papranueshme dhe duhet të ndërpriten menjëherë”.
“Dënojmë fuqishëm sulmin ndaj ekipit të Klan Kosovës sot në Zubin Potok. Ky është sulmi i katërt ndaj profesionistëve të mediave, që po raportojnë nga veriu i Kosovës, që nga fillimi i dhjetorit. Këto sulme janë të papranueshme dhe duhet të ndërpriten menjëherë”.
“Siguria e gazetarëve në kryerjen e detyrave të tyre profesionale duhet të mbrohet në çdo kohë. U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga aktet e dhunës”, tha OSBE-ja, misioni në Kosovë.