Live

ShBA dhe KiE nuk komentojnë pretendimet për kërkesën amerikane për heqjen e Kosovës nga agjenda

20:11 / 31 Janar 2023

Nga Kosova Live

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka refuzuar t’i komentojë pretendimet e mediumit “Euronews Serbia” se sipas burimeve të tyre diplomatike, Washingtoni i ka kërkuar Këshillit të Evropës të mos e vendosë në agjendë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, “derisa Kosova të marrë një qëndrim më konstruktiv për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

Në një përgjigjje për teve1.info, ambasada amerikane ka thënë se qëndrimi i ShBA-së është i qartë se Asociacioni duhet të themelohet tani. Megjithatë kanë shtuar se nuk mund të komentojnë “mbi korrespodencën e pretenduar diplomatike”.

“Pozicioni i SHBA-së është i njohur mirë: siç vunë në dukje këshilltari Derek Chollet dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar vetëm dje në shkrimin e tyre, koha për krijimin e ASM-së është tani. Përtej kësaj, ne nuk mund të komentojmë mbi korrespondencën e pretenduar diplomatike”, ka thënë zëdhënësja Katherine Judd.

Këto raportime nuk i kanë komentuar as nga Këshilli i Evropës. Në një përgjigje për teve1.info nga kjo organizatë janë shprehur se diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale.

“Ne dëshirojmë të tërheqim vëmendjen tuaj për faktin se puna dhe diskutimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës janë konfidenciale. Nuk ka asgjë tjetër që mund të komunikojmë për këtë temë të veçantë në këtë fazë”, ka thënë Dushan Vojnoviq, zëdhënës i Këshillit të Evropës.

Mediumi “Euronews Serbia” të martën raportoi se sipas burimeve të tyre, vendet anëtare të Këshillit të Evropës kishin marrë një notë nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara se çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk duhet të futet në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Sipas “Euronews” në gjuhën serbe, ShBA-ja kanë kërkuar që çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës të mos vihet në agjendë derisa “Kosova të marrë një qëndrim më konstruktiv për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe i cili do t’i hapte rrugën propozimit të marrëveshjes bazë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

Gjithnjë sipas mediumit, ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është pranuar nga Italia, Franca dhe Gjermania.

Kujtojmë se në një kolumne të përbashkët ng akëshilltari i DASh-it Chollet dhe ndihmëssekretari Escobar, një pjesë e së cilës është publikuar nga ambasada amerikane, thuhet se koha për themelimin e Asociacionit është tani dhe se ShBA nuk do të lejojë një Asociacion i cili cenon sovranitetin e Kosovës.

Këto pretendime, ambasadori amerikan i përsëriti edhe sot pas diskutimit që u zhvillua në Ambasadën amerikane për këtë çështje.

Ndërsa nga Qeveria po përsërisin vazhdimisht se Asociacioni është e vetmja prej 33 marrëveshjeve me Serbinë që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Madje kryeministri Albin Kurti u pat shprehur i zhgënjyer nga Escobar, pasi tha se “ka pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën, në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni“.

Shpërndaje në

U Kopjua