Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe tre shtete anëtare të BE-së kanë kërkuar nga disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës që të mos e vendosin çështjen e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë në agjendë derisa Prishtina të tregojë konstruktivitet për Asociacionin ka pretenduar Euronews Serbia.
“Ministritë e punëve të jashtme të disa shteteve evropiane, që janë anëtare të Këshillit të Evropës, kanë marrë një letër nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të cilën thuhet që Washingtoni konsideron se çështja e pranimit të Kosovës në Këshill nuk duhet të vendoset në agjendën e Komitetit të Minisrave,” –ka mësuar ky medium nga burime diplomatike në Evropë.
Sipas këtyre burimeve, një gjë e tillë nuk duhet të ndodh deri kur “Kosova të ketë një pozicion më të përshtatshëm për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që do të shtronte rrugën drejt propozimit për marrëveshjen bazike mes Beogradit dhe Prishtinës.”
Euronews Serbia thotë që me këtë pozicion të ShBA-ve është pajtuar Italia, Franca dhe Gjermania.
Kosova e kishte bërë aplikimin e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës vitin e kaluar.
Madje edhe Serbia kishte thënë që Kosova mund t’i kishte siguruar votat për pranim në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.
Gjatë ditës së sotme në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë është mbajtur një takim në lidhje me modalitetet e formimit të Asociacionit, ku ishin të pranishëm edhe shumë zyrtarë qeveritarë, përfshirë shefin e stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipin.
Nënsekretari Derek Chollet dhe i dërguari special i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar në një shkrim të përbashkët kishin deklaruar se duhej të formohej Asociacioni, duke dhënë garanci që ai të ishte në përputhje me Kushtetutën.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme është prezantuar edhe një draft i statutit të Asociacionit nga dy institute ndërkombëtare, FES dhe Instituti Evropian për Paqe.
Kujtojmë se presioni ndaj Qeverisë Kurti për formimin e Asociacionit është shtuar veçanërisht pasi Serbia përmes presidentit të saj kishte dhënë sinjale se do ta pranonte të ashtuquajturin plan franko-gjerman.
Sot gjatë ditës nga disa aktivistë të Vetëvendosjes është mbajtur një protestë në kundërshtim të Asociacionit.