Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë të gatshme të tërheqin një numër të madh të forcave amerikane nga Afganistani, në këmbim të garancive nga talibanët për të nisur negociatat e drejtpërdrejta me Qeverinë afgane, për përfundimin e luftës gati 18-vjeçare në Afganistan, raportoi të premten gazeta amerikane “The Uashington Post”, duke cituar burime të paidentifikuaranga Shtëpia e Bardhë.
Sipas këtij informacioni numri i ushtarëve do të zvogëlohej nga 14 000 9 000, në kuadër të një plani për paqe. Deri më tani, talibanët nuk kanë pranuar të negociojnë me Qeverinë e Kabulit, duke e cilësuar atë si “regjim kukull”.
I dërguari amerikan për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, ka thënë se janë katër çështje kryesore për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes: tërheqja e trupave të huaja, garancitë e talibanëve për parandalimin e sulmeve terroriste, dialogu midis afganëve që çon në zgjidhje politike dhe armëpushimi i përhershëm.
Khalilzad do të fillojë një raund të ri bisedimesh me talibanët në Doha të Katarit, në ditët e ardhshme.
Ai ka zhvilluar deri më tash tetë raunde bisedimesh për paqe me talibanët, ndërsa të dyja palët kanë thënë se kanë bërë përparim të rëndësishëm.