Live

Shefi i NATO-s flet me Borrellin: Prishtina dhe Beogradi të angazhohen në dialog tani

14:19 / 28 Maj 2023

Nga Kosova Live

Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se ka biseduar me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian Josep Borrelin për situatën e krijuar në Kosovë.

Stoltenberg, thotë se Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë siç tha ai hapa të njëanshëm destabilizues.

“Fola me Josep Borrellin për Kosovën. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE tani, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues”, shkroi Stoltenberg.

“KFOR-i do të vazhdojë të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt”.

Reagimi i Stoltenbergut vjen, pasi tre kryetarët e zgjedhur në veri, u vendosën në zyrat e tyre të premten, me asistimin e Policisë së Kosovës.

Reagim të ashpër pati edhe nga SHBA-ja, ku sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka kërkuar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, që të ndalë menjëherë masat, të cilat ai i quajti të dhunshme, dhe të ripërqendrohet në dialog.

Blinken i dënoi fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës për të cilat tha se po përshkallëzojnë tensionet në veri.

Veç SHBA-së, edhe Shtetet e QUINT-it reaguan përmes një komunikate të përbashkët, dënuan vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes për përmbajtje.

Me situatën e krijuar, dje për vizitë në Prishtinë ishte emisari gjerman Manuel Sarrazin, i cili u takua me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe komandantin e KFOR-it.

Shpërndaje në

U Kopjua