Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti Kosova ka shënuar rritje të eksportit, në vlerë prej 9.2 për qind. Nga 150 milionë sa ishte vitin e kaluar, këtë vit, eksporti kosovar për gjashtë muaj ka arritur vlerën 162 milionë. Kështu tha për Radio Kosovën, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, sipas të cilit, eksporti në drejtim të Serbisë ka shënuar rënie për 16%.
Mbi tre miliadrë euro ishte vlera e mallrave që Kosova importoi vitin e kaluar. Ndryshe nga importi i lartë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksportoi i mallrave “Made in Kosova” ishte vetëm 367.5 milionë euro, 2.8 për qind më pak sesa në vitin 2017. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, krahasuar me 2018-tën, eksporti kosovar ka shënuar rritje, tha për Radio Kosovën, zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.
“Eksporti kosovar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, krahasuar me vitin 2018, ka shënuar një rritje në aspektin e vlerës prej 9.2 për qind. Nëse në vitin e kaluar kemi pasur rreth 150 milionë euro eksporte, në gjashtëmujorin e parë, tani kemi 162 milionë euro eksporte, që nënkupton një rritje prej rreth 13 milionë”, tha ai.
Sipas Stavileci, edhe këtë vit, produktet më të eksportuara janë riciklimet e produktet e ndryshme të gizës dhe çelikut, ndërkohë që ka rritje të eksporteve në disa produkte.
“Indikator të mirë janë se kemi filluar të eksportojmë më shumë produkte të bylmetrave dhe mishit. Pastaj ka rritje të eksporteve të zarzavateve dhe frutave”, pohoi Stavileci për Radio Kosovën.
Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Zvicra, Gjermania, Italia, India e Mali i Zi, janë vendet ku Kosova eksporton më shumë, tha Stavileci, i cli tregoi edhe se ku ka rritje më të madhe të eksporteve këtë vit.
“Në Shqipëri nëse kemi pasur në vitin e kaluar rreth 28 milionë euro eksport, sivjet ka një rritje prej 10 përqind. Gjithashtu edhe në Maqedoni është shënuar rritje e eksporteve. Rritje ka edhe eksporti në drejtim të Gjermanisë, me rreth 26 përqind, ku sivjet kemi rreth 13 milionë euro eksport”, tha për Radio Kosovën Adriatik Stavileci.
Bazuar në të dhënat e Doganës rritje të eksportit ka edhe me Malin e Zi, ku për gjashtë muaj janë eksportuar mallra në vlerë prej 10 milion euro. Ky shtet është i vetmi ku Kosova më shumë eksporton se sa importon. Ndërkohë që, taksa 100 përqind ndaj produkteve të Serbisës, duket se ka ndikuar negativisht në eksportin e mallrave kosovare. Eksporti në drejtim të shtetit fqinj, ka rënë për 16%, e krahasuar me vitin e kaluar, kur u eksportua mall në vlere prej 15 milionë, këtë vit eksporti kosovar në Serbi është 13 milion euro.