Dy ministra të Nismës Socialdemokrate, gjatë këtij mandati u larguan nga kjo parti.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani dhe ministri në largim, Shyqiri Bytyqi braktisën këtë parti. I pari aderoi në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa i dyti në partinë Partia Socialdemokrate.
Ish-shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, njëherësh sekretar i kësaj partie, Bilall Sherifi, po i quan “mosmirënjohës”, Bytyqin dhe Hasanin.
Në një intervistë për EkonomiaOnline, Sherifi thotë se aderimet në kohë fushate janë të natyrshme, por jo edhe të personave që kanë barrë politike dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve votues.
“Daljet sidomos të ministrave në kohë fushatash nga një parti në tjetrën mendoj që shprehin karakterin mosmirënjohës të atyre njerëzve, sepse edhe nëse nuk do të pajtohesh me një parti ja ke borxh elektoratit të cilët kanë vrapuar për të marrë pushtet në NISMA dhe t’i ke marrë një funksion të rëndësishëm ia ke borxh atij të heshtësh dhe të mos përpiqesh ta dëmtosh elektoratin i cili ta dha një mandat”, thotë ai.
Sherifi thotë se pajtohet me vendimin e tyre për t’u larguar, por kërkon nga ta që së paku të mos “ia kthejnë me të keq”.
“Rreth daljeve të ministrave nuk mund të them asgjë më shumë pos se nëse ata janë në rregull me ndërgjegjen e tyre në raport me këta 40 mijë njerëz atëherë le të vazhdojnë rrugën e tyre nuk kam asnjë problem. Por duhet përfundimisht mirënjohja të instalohet në shoqërinë tonë dhe nëse nuk mund të ja kthesh me të mirë së paku mos t’ia kthesh me të keq”, thotë ai.
Sekretari i Nismës Socialdemokrate thotë se është politik e tyre që të sjellin njerëz të rinj në poste ministrore, por kjo nuk duhet të keqpërdoret dhe të keqkuptohet.
“Ne kemi krijuar një parti ku për herë të parë kur kemi ardhur në qeveri u kemi dhënë shansin djemve të ri, askush nuk ka mund të më ndaloj mua Jakup Krasniqin apo disa tjerë që jemi brez pak më i vjetër ti marrë postet ministrore por nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Kemi dashur të përcjellim një mesazh tek NISMA, jo vetëm janë të mirëseardhur njerëzit të vinë të japin kontributin e tyre, por mund të shpërblehen me pozicione të rëndësishme deri tek posti i ministrit. Nëse njerëzit mendojnë që të marrësh post të rëndësishëm mund të bësh çka të duash atëherë e ka huq profesionin”, thotë ai.
Transferet nga një parti politike në një parti tjetër, Sherifi thotë se shumicën e rasteve bëhen për interesa dhe se nuk duhet të merren shumë tragjike.
“Kështu edhe ndodh qoftë edhe para zgjedhjeve qoftë edhe pas zgjedhjeve, njerëzit hynë dikush hynë dikush del në të shumtën e herëve arsyet janë personale arsyet janë për qëllime që njeriu e sheh diku vetën më mirë për interesa personale dhe hyn apo del nga partitë, pra nuk duhet të merren si tragjike edhe daljet. Ardhjet sidomos nga njerëzit të cilët nuk kanë qenë asnjëherë të angazhuar në politikë në çdo parti politike e pasurojnë skenën politike”, përfundon ai.
Aderimet në kohë fushate tashmë janë bërë të zakonshme në skenën politike kosovare.