Live

Shkarkimi nga RTK-ja, Shala: Hakmarrje ndaj meje, Ahmetxhekaj e Boletini do të japin llogari në gjykatë

23:34 / 27 Janar 2023

Nga Kosova Live

Pak kohë më parë Nacionale raportoi për largimin nga puna në RTK të tre zyrtarëve të lartë, Mentor Shala, Mustafë Mustafa dhe Erzen Këpuska.

Gazeta kishte mësuar nga burimet se bëhet fjalë për nënshkrim të një kontratë retroaktive, përmes së cilës, Mustafë Mustafa do të përfitonte pagë më lartë.

Megjithatë, këto pretendime i mohoi njëri prej të apostrofuarve, Mentor Shala. Shala, në një prononcim për Nacionalen ka thënë se për ta vërtetuar kush ka falsifikuar, do ta vërtetojë policia, që është duke e hetuar rastin.

Tutje, ai shtoi se për dallim prej palës tjetër, nuk flet dhe pret verdiktin ligjor.

“Se kush ka falsifikuar sigurisht do të vërtetohet nga policia e cila po e heton rastin. Unë nuk kam dëshirë të flasë, për dallim prej palës tjetër, derisa hetuesia e kryen punën e saj”, tha fillimisht Shala për Nacionalen.

Veç kësaj, ai pohoi se kjo masë është marrë nga Shkumbin Ahmetgjekaj, Drejtori Gjeneral i Radio Televizionit të Kosovës, është e paligjshme sepse ata e kanë kryer masën e suspendimit.

“Sa i përket masës që e ka ndërmarrë Shkumbini është e paligjshme, sepse ne e kemi kryer masën e suspendimin, pra sot pas gjashtë muajve. Cila është arsyeja pra e shkëputjes së kontratës?”, vazhdoi ai.

Në fund fare, Shala hodhi akuza ndaj Ahmetgjekajt e Besnik Boletinit, duke thënë se kjo është hakmarrje ndaj tij, të cilën si të tillë e vlerëson vepër penale.

“Këtë sigurisht që kanë me na kallxu në gjykatë Shkumbini e Besnik Boletini. Shkurt e shqip është hakmarrje ndaj meje. E hakmarrja është vepër penale mes tjerash”, përfundoi ai.

Përzgjedhja
Kujtojmë se Shkumbin Ahmetxhekaj u zgjodh në krye të RTK-së, tash e shtatë muaj më parë.

Ahmetxhekaj do ta ushtrojë mandatin për tre vite, teksa fitoi në garën e brendshme me 8 vota për, 1 abstenim dhe pa asnjë kundër.

Më poshtë edhe njoftimi i atëhershëm i televizionit publik.

Pas një procesi të rregullt vlerësues, bazuar në Ligjin për RTK-në 04/L-046 dhe në Rregulloren për Procedurat e Përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm dhe menaxhmentit të lartë të RTK-së, Bordi në mbledhjen e mbajtur me datë 20.06.2022 ka zgjedhur z. Shkumbin Ahmetxhekaj për Drejtor të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për një mandat tre vjeçar.

Për herë të parë në RTK, i gjithë procesi i vlerësimit dhe intervistimit ka qenë tërësisht transparent. Në çdo fazë të procesit kanë qenë të ftuar monitoruesit nga shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare, por ka pasur edhe qytetar të interesuar që kanë marrë pjesë në monitorim.

Pyetjet për kandidatët janë bërë në prani dhe bashkë me monitoruesit rreth gjysmë ore para se të fillojnë intervistat. Edhe propozimet e monitoruesve janë marrë parasysh gjatë përpilimit të gjashtë pyetjeve.

Në procesin e intervistimit, janë paraqitur nëntë kandidatë. Ndërkaq, një kandidate nuk e ka vazhduar garën.

Procesi i intervistimit ka qenë i ndarë ne dy pjesë, ku në pjesën e parë kandidatët kanë prezantuar konceptin strategjik për zhvillimin e RTK-së, ndërsa në pjesën e dytë ata janë përgjigjur në gjashtë pyetjet e njëjta. Ky është rezultati i kandidatëve pas intervistimit:

Zgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së do t’i hapë rrugë një procesi të rëndësishëm reformash në transmetuesin publik të Kosovës për ta bërë atë konkurrent me mediumet në rajon dhe më gjerë.

Bordi i RTK-së rikujton se Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e auditimit të përformancës (2019-2021) dhe të pasqyrave financiare të RTK-së për vitin 2021, ka gjetur një numër të konsiderueshëm shkeljesh për mënyrën se si është menaxhuar RTK-ja.

Prandaj, Bordi si organ udhëheqës dhe drejtues do t’i ofrojë bashkëpunim të plotë drejtorit të sapozgjedhur duke e inkurajuar dhe mbikëqyrur adresimin e plotë të rekomandimeve dhe gjetjeve të paraqitura në raportin e ZKA-së.

Shpërndaje në

U Kopjua