Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ditë më parë ka njoftuar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit (SBASHK), se nuk do të vazhdojë me zbatimin e Kontratës Kolektive.
E shkëputjen e Kontratës Kolektive, kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj e cilëson si një vendim të padrejtë. Jasharaj në një intervistë për “IndeksOnline“, thotë se ata nuk kishin asnjë njoftim paraprak nga MASHT-i dhe ministrja Arberie Nagavci. Ndërkaq Kontrata Kolektive sipas tij, nuk mund të shkëputët vetëm nga njëra palë.
“Ne e cilësojmë më shumë si një njoftim apo përpjekjeve për të shkëputur kontratën, të cilën e konsiderojmë si të padrejtë, sepse kontrata kolektive e nënshkruar mes MASHT-it dhe SBASHK-ut, tani po behën 2 vite nga nënshkrimi, e përcakton qartë se asnjëra palë, në një anshmëri nuk mund të shkëputin, ta mohojnë kontratën e cila është nënshkruar. E keqja më e madhe është që paraprakisht nuk kemi pasur ndonjë njoftim apo takim me ministren Nagavci dhe që ka dal me vendimin që MASHT-i po e shkëput kontratën me SBASHK-un. Ne e konsiderojmë si vendim të padrejtë dhe e konsiderojmë të drejtë që kontrata vazhdon se ekzistuari, vazhdon të implementohet, nga se vetë kontrata e përcakton se asnjëra palë nuk mund të shkelë këtë post njëanshëm”, tha Jasharaj.
Jasharaj po ashtu tha se për shkëputjen e Kontratës Kolektive, ata janë njoftuar nga mediat dhe se kjo sipas tij nuk është aspak e drejtë. Ndërkaq të gjitha këto Jasharaj i sheh si një sulm ndaj SBASHK-ut.
“Është bëre dy vite prej si është nënshkruar kontrata dhe zonjës Nagavci tashmë po i bie në mend për një veprim të tillë. Ne i konsiderojmë si një përpjekje sulmi ndaj SBASHK-ut, në vend që të ulemi të bisedojmë jo vetëm për kontratën, nesë është nevoja, por edhe për çështje të tjera, bie fjala edhe për zëvendësimet e të shtunave të mësimit, që po pretendohen të mbahen. Ne e kemi bëre një kërkesë znj.Nagavci dhe ajo është arsyetuar që nuk ka kohë nga angazhimet e mëdha ”, theksoi Jasharaj.
Për kryetarin e SBASHK-ut, pavarësisht këtij vendimi, kontrata është e vlefshme. Pasi që siç thotë ai, për të pasur lëvizje në Kontratën Kolektive, duhet të ketë pajtueshmëri mes dy palëve. Ndërsa kishte dhe një porosi për ministren Nagavci, për të cilën tha se duhet t’i lë inatet që ka me SBASHK-un.
“Le ta dijë znj.Nagavci që njëanshëm nuk mund tërhiqet kontrata, ose nga MASHT-i por këtë të drejtë nuk e kemi as ne si palë, çdo gjë që do të lëvizte në këtë kontratë, duhet të kemi pajtueshmëri të dy palëve. Madje aty parashihet që në raste të veçanta formohet komisioni i përbashkët dhe nga të dy palët, shkojnë nga dy kandidatë, dhe e zgjedhim një anë të paanshme. Kontrata është e vlefshme përveç për faktin kur të dy palët pajtohen që të ndryshojnë ndonjë pjesë të kontratës. Kontrata është duke jetuar, është duke u aplikuar. Nagavci edhe po deshi për çfarëdo qëllimi që ka, nuk mund të zhvlerësoje dhe të hedhë poshtë një kontratë pa palën tjetër. Por konsiderojë që Nagavci më shumë se kjo duhet t’i lejë inatet, greva ishte grevë, mësimi po zhvillohet dhe ajo duhet që të dërgojnë sinjale pozitive në mënyre që të relaksojë situatën edhe bashkëpunimin me SBASHK-un ”, theksoi kryetari i SBASHK-ut.